Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ka deklaruar se sulmi terrorist i Banjës më 24 shtator të 2023-së, na rikujtoi rëndësinë që territori të mbrohet edhe me jetë.
Ai gjatë fjalimit të tij para të pranishmeve tha se veprimet e Policisë në sulmet e njëpasnjëshme në tri vitet e fundit nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia, kanë dëshmuar se me profesionalizëm dhe guxim arrihen rezultate në misionin e sundimit të ligjit.
“Banjska po ashtu ka risjellë në mendjet e secilit prej nesh, që pavarësisht çfarëdo aspirate të shfrenuar të kujtdo qoftë mbi Republikën tonë të dashur, territori ynë do të mbrohet edhe me jetë. Integriteti institucional e zyrtar e personal, ruan e mirëmban integritetin territorial”, deklaroi Kurti.
Ndër të tjera, kreu i ekzekutivit ka shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëtarët të cilët janë në detyrë.
“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam krenar e mirënjohës për arritjet e policisë sonë. Shërbimi me integritet dhe reagimi me profesionalizëm, i bazuar në ligjet tona, janë drejtimet, mbi të cilat duhet të fuqizohet edhe më tej Policia e Kosovës”, tha ai.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur 25 vjetorin e themelimit të Policisë “ditë të vecantë”, duke kujtuar rënien në krye të detyrës së 23 pjestarëve të policisë.
“Nga heroi Lazim Rexhepi deri tek heroi Afrim Bunjaku, dëshmuan se mbrojnë betimin e dhënë, mbrojnë jetën e pronën e qytetarëve tanë, integritetin e sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës me sakrifica të përditshme, me vullnet e përkushtim, qoftë edhe me jetën e tyre”, tha ministri Sveçla.
Në këtë përvjetor jubilar të themelimit të Policisë, për herë të parë u interpretua himni i Policisë së Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Kurti e ministri Sveçla, së bashku me drejtorin e policisë, Gazmend Hoxha, iu kanë ndarë medalje mirënjëohje, e lëdvata institucioneve të ndryshme gjatë kësaj ceremonie.