Kosova

Kurti po vazhdon t’i shmanget Kuvendit, s’po përgjigjet pyetjeve parlamentare – thotë Kryeziu


Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka potencuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon t’i shmanget “llogaridhënies ndaj Kuvendit duke mos marrë pjesë në seancë”.

“Sot kur po mbahet seanca e parë e Kuvendit për sesionin vjeshtor 2024 ai nuk morri pjesë e as nuk u përgjigj në pyetjet parlamentare, njëjtë si në sesionin pranveror kur nuk u përgjigj në asnjë nga 36 pyetjet që deputetët kishin parashtruar për të”, tha ai.

Kryeziu ka kritikuar edhe opozitën parlamentare, meqë në vlerësimin e tij, ajo nuk morri mundin që asnjëherë gjatë sesionit pranveror të thërrasë kryeministrin në interpelancë.

“Pyetjet parlamentare dhe interpelanca janë një instrument parlamentar e demokratik për të mbajtur qeverinë përgjegjëse e llogaridhënëse si dhe për të siguruar transparencë në vendimet dhe zbatimin e politikave”.

Ndryshe seanca e sotme parlamentare ka dështuar për shkak të mungesës së deputetëve.

Vazhdimi i seancës ishte paraparë të nis në orën 14:30, por nisi në orën 15:00.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se ka menduar që deputetët mezi e kanë pritur sesionin vjeshtor i cili nisi sot, por siç duket jashtë ka gjëra më interesante.
Në fund ai mbylli seancën për të vazhduar ditëve në vijim për shkak se në sallë ishin vetëm 57 deputetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore