Lajme

Kurti përsëri fletë për luftë: “Do të ishte papërgjegjësi po të mendoja ndryshe”


Albin Kurti

Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, përsëri ka folur për mundësinë e një lufte në mes të Kosovës dhe Serbisë.

I pari i ekzekutivit, në një intervistë për mediumin kroat, Veçernji List, si pretekst për këtë ka dhënë armatimin e Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina.

Përveç armatimit, Kurti ka nënvizuar faktin se afër kufirit me Kosovën, Serbia ka vendosur 48 baza operative sulmuese, prej të cilave 28 janë ushtarake dhe 20 i përkasin xhandarmërisë.

“Marrë për bazë këto do të ishte e papërgjegjshme të thuash se nuk do të ketë kurrë konflikt, se nuk do të ketë më luftë. Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar dhe në të njëjtën kohë, dy stërvitje më të rëndësishme ushtarake të quajtur ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllave’?”, ka pyetur Kurti.

Për Kurtin Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina po dëshirojnë ta shndërrojnë Ballkanin Perëndimor disi si një alternativë ndaj Perëndimit demokratik”.

“Në Ballkan nuk mund të ketë luftë pa Serbinë, as paqe pa shqiptarët. Gjëja më e rrezikshme është se lidershipi i Serbisë e konsideron Rusinë si nënë, dhe për këtë arsye në Ballkan kemi rrethana të tilla me shumë rrezik dhe frikë”, ka shtuar ai.

Nuk është hera e parë që kryeqeveritari flet për luftë.

Më 8 gusht, një javë pasi situata në Veriun e Kosovës ishte e tensionuar si rrjedhojë e fillimit të implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës, për targat dhe kartat e identitetit, në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, Kurti kishte nënvizuar po të njëjtën gjë – rrezikun për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.

Pretekstet edhe atëherë ishin të njëjta. Dallimi qëndronte në kontekstin politik.

Duke parë atë çfarë Rusia ka bërë me Ukrainën, Kurti kishte thënë se “do të isha i papërgjegjshëm po të shprehesha ndryshe”.

“Nuk do të thoja që [rreziku] është tejet i lartë, për shkak edhe se kemi kontingjentin e NATO-s këtu, por sigurisht se i lartë”.

“Nëse kemi një episod të dytë, për shembull në Transnistri, atëherë gjasat që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë në veçanti, do të jenë shumë të larta”, ishte shprehur ai.

Gjatë intervistës, Kurti është pyetur edhe për temën e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Sipas tij themelimi i Asociacionit do të ishte parathënia e krijimit të Republikës Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore