Kosova

“Kurti përkrahu ndryshimin në Maqedoni, poshtëroi UÇK-në e Ali Ahmetin”, thotë Haradinaj


Ali Ahmeti dhe Albin Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka theksuar se kryeministri Albin Kurti, i ka përkrahur ndryshimet në Maqedoni të Veriut, duke iu referuar mbështetjes për koalicionin “VLEN” – i cili hyri në qeverinë e VMRO-DPMNE-së si humbës i zgjedhjeve në taborin shqiptar – dhe në këtë mënyrë e ka poshtëruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë në një intervistë për “RTVDukagjini”, duke folur në lidhje me arrestimet e pjesëtarëve të UÇK-së nga shtetet e rajonit, siç ishte ai i fundit ku Maqedonia e Veriut arrestoi ish-ushtarin, Blerim Ramadani, për shkak të fletarretit të Serbisë.

Prandaj, ish-kryeministri ka theksuar se veteranët e UÇK-së duhet të kenë kujdes kur udhëtojnë në vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut e Mali i Zi.

“Të mos udhëtojnë. Kurti i ka përkrah ndryshimet qeverisëse atje, e ka poshtëruar UÇK-në, Ali Ahmetin. Më ra në sy dakordimi për të patrulluar bashkë policia e Serbisë dhe e Maqedonisë, patrullim i përbashkët”, tha Haradinaj.

“Mos udhëtoni në Serbi”, kërkoi ai nga ish-ushtarët e UÇK-së, “mos udhëtoni në vendet e rajonit ku ka ndikim Serbia”.

“Bëni kujdes se mund të jenë pjesë e listës së Interpolit”, paralajmëroi.

Haradinaj u shpreh i sigurt se ata mund të kidnapohen në këto vende dhe të dërgohen në Serbi, derisa shtoi se pastaj mund të manipulohet me informacione e të thuhet se janë zënë në shtetin serb.

“Në disa vende mund edhe t’i kidnapojnë, nuk është vetëm procesi gjyqësor, mund me të marrë në një vend tjetër e me të dërgu në Serbi e të thonë e gjetëm në Serbi. Nuk janë të sigurt në vendet e rajonit pos Shqipërisë”.

Në vendet e rajonit pos Shqipërisë, Haradinaj ngriti shqetësimin se “mund t’i kidnapojnë, janë dy polici, janë policia serbe në Maqedoni edhe në Mal të Zi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore