Kosova

Kurti për zgjedhjet e jashtëzakonshme: Opozita duhet të bëhet gati, ne jemi gjithmonë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme, por për të ndodhur kjo, sipas tij, duhet të bëhet gati edhe opozita.

“Opozita duhet të bëhet gati, ne jemi gjithmonë gati. Nëse ata janë rehat, shkon mandati deri në fund. Për mua ka qenë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative sepse kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare të ngujuara”, tha Kurti shkurt para gazetarëve.

Më 13 maj, Kurti u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin me të cilin pati një lloj “dakordance”, për zgjedhje të jashtëzakonshme, por siç u tha pas takimit për datën dhe kohën duhet koordinim edhe me partitë e tjera.

Ndërkaq pas takimit, Krasniqi ka treguar se ka pranuar të takohet me kryeministrin për t’i kërkuar një datë të zgjedhjeve dhe që bashkërisht të votohet një mocion për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

“Unë i jam përgjigjur ftesës së Kurtit për ta takuar në një darkë pune, sepse konsideroj se është e rëndësishme t’ia shpreh qëndrimet e mia dhe të PDK-së drejtpërdrejtë dhe qartë, sesa ku do të takohemi dhe në çfarë formati që është zgjedhja e tij”, potencoi Krasniqi.

Ndryshe, Krasniqi ishte i vetmi prej liderëve të partive opozitare që pranoi ftesën e Kurtit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e refuzuan ftesën e kryeministrit për të darkuar së bashku duke i thënë se “është vonë”.

Ky i fundit ka reaguar pas takimit mes Kurtit dhe Krasniqit, duke thënë se partia e tij e mbështet idenë për shpërbërjen e Kuvendit, por vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit Kurti.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti”, ka shkruar Haradinaj në Facebook të hënën.

Të martën, Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media të martën, ka thënë se dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duhet t’i paraprijë shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që t’u hapet rruga zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

“Zgjidhja është e thjeshtë, dorëheqja e kryeministrit dhe pastaj, si rrjedhojë, shpërbërja e kuvendit. Pas tre vjet e gjysmë populizëm dhe pa ndonjë progres thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizimi, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, kryeministri ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual”, thuhej në reagim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore