Kosova

Kurti për ruajtjen e “turistëve” nga Policia tek Liqeni i Ujmanit: Unë s’jam polic e as doganier – gjendja është e qetë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga gazetarët për Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës të cilët po patrullojnë afërt liqenit të Ujmanit në të cilin ditëve të fundit janë parë duke u freskuar dhjetëra qytetarë.

“Shpesh është kërkuar prej meje ta bëjë policin e Kosovës, herë zyrtarin e doganës, por unë jam veç kryeministër dhe nuk mund t’i di patrullat e policisë rrotull Ujmanit, në drejtim të Ujmanit apo kudo qoftë në Kosovë. Situata është e qetë dhe sigurt”, tha Kurti.

“Qytetarët freskohen nëpër ato liqene të pakta që i ka Kosova dhe besoj që policia po bën punë të shkëlqyeshme dhe besoj që nga këto vite qytetarët janë ndarë të kënaqur me vlerësimet e policisë”, shtoi.

Tutje, ai ka theksuar se Policia mbron qytetarët dhe rendin publik, teksa ka potencuar se “unë mendoj që duhet të jemi të kënaqur me performancën e Policisë cila është multietnike”.

Ndryshe, liqeni i Ujmanit është bërë pikë turistike për “pushuesit” kosovarë që po shkojnë të freskohen atje ditëve të fundit.

Por, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shfrytëzuar pamjet atje për agjenda partiake. Megjithatë, mbi urën e liqenit prezent janë parë Njësiti Special i Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore