Kosova

Kurti për largimin e barrikadave: KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë nga ne, s’do të tolerohen shumë gjatë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kanë kaluar dhjetë ditë që nga vendosja e barrikadave në Veri të Mitrovicës, por largimi i tyre nuk dihet se kur do të ndodh.

I pyetur nga gazetarët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se janë në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in, prandaj as nuk kanë një datë të caktuar se kur do të behët largimi i tyre përfundimisht.

“Sveçla nuk është duke qëndruar në Prishtinë është në Mitrovicë tërë kohën, çdo ditë është në kontakt të vazhdueshëm me komandën e KFOR-it për heqjen e barrikadave”.

“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë nga ne. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in, nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat e tilla”, ka deklaruar Kurti.

Këto deklarata kryeministri i bëri gjatë pjesëmarrjes së tij në ceremoninë e fillimit të punimeve të fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10 hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë.

Sa i përket protestës në Veri, kryeministri u shpreh se strukturat ilegale të Serbisë dëshirojnë ta kthejnë Kosovën në të kaluarën e saj.

“Nuk mund të them që bëhet fjalë për protestë civile, kur ka njerëz të armatosur aty, dëshirojnë që Kosova të kthehet në vitet 1999 dhe të cilët mbajnë parulla e fotografi të presidentit despotik Putin, ata të cilët synojnë të destabilizojnë Kosovën do të dështojnë gjithmonë ashtu siç dështuan dje”.

Ilustrim, foto nga arkivi.

“Synimi i tyre ishte të vijnë në Kosovë, nuk ishin në numër që ata e kishin paramenduar, ndërkaq organet e sigurisë së Republikës së Kosovës dhe forcat ndërkombëtare natyrisht janë kujdesur për siguri dhe paqe”, ka vijuar Kurti.

Janë bërë dhjetë ditë që kur grupe serbësh në Veri të Kosovës kanë bllokuar rrugët, në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç.

Në barrikada e kanë për obligim të qëndrojnë edhe punonjësit e institucioneve publike, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

Pas ndërprerjes së mësimit prej një javë, nxënësit e shkollave fillore, nga e hëna janë në klasa, por me orë të shkurtuara.

Kurse, nxënësit e shkollave të mesme do t’i ndjekin mësimet online.

Ndërsa, në Veri është raportuar për situatë të qetë teksa vërehen patrullime të pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, dhe të misionit evropian, EULEX.

Por, protesta e disa qindra serbëve në anën serbe të pikës kufitare në Jarinjë është elementi i fundit destruktiv i situatës në Veri të Kosovës.

Mesazhi i KFOR-it megjithatë ishte i qartë.

Përmes një njoftimi për media te dielën thanë se kanë kapacitet dhe nuk do të lejojnë që situata të përkeqësohet më tej.

Të dielën kanë qarkulluar informacione se serbët po planifikojnë djegien e kabinave të pikave të kontrollit, siç kishte ndodhur në vitin 2011, prandaj, KFOR-i amerikan është mobilizuar dhe ka vënë edhe tela me gjemba në një pjesë, tela që nuk ishin vënë tash e sa vjet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se heqjen e barrikadave ia kanë lënë KFOR-it, por siç është kuptuar KFOR-i nuk do të ndërhyjë, sepse po pritet një  zgjidhje politike e situatës.

Nga Bashkimi Evropian është thënë se po përgatitet një takim i mundshëm mes Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore