Lajme

Kurti për BBC në gjuhën serbe: Akoma dialogu s’është prioritet i parë për mua, mbetet i katërti


Albin Kurti gjate intervistes

Kur kishte dhënë intervistë për BBC-në në gjuhën serbe, menjëherë pasi ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, u kishte thënë se dialogu është prioritet i katërt për të, meqë ka punë të tjera më urgjente dhe më të rëndësishme.

Por në 18 muajt e fundit, tri herë janë ngritur barrikada në rrugët e veriut të Kosovës, kryesisht të populluara nga komuniteti serb, dy herë janë mbyllur vendkalimet, janë vendosur afishe në targa, janë duke u bërë plane për zëvendësimin e targave për serbët e Kosovës, janë hedhur mjete shpërthyese në patrullat e Policisë së Kosovës – dhe ky është vetëm një përshkrim i shkurtër i tensioneve të rritura.

Megjithatë, Kurti prapë insiston, se dialogu mbetet aty ku ishte për nga rëndësia.

“Po të shikosh kohën që kaloj, publikut mund t’i duket se kjo çështje është ngritur në listën e prioriteteve, por besoj se nuk e ka ndryshuar rrënjësisht vendin”, thotë Kurti në një intervistë për BBC në gjuhën serbe.

“Punët, drejtësia dhe problemet e vazhdueshme janë ende aty, madje edhe vendi i katërt nuk është aq i keq – merrem me shumë tema”, e thotë me një buzëqeshje të lehtë kryeministri i Kosovës.

Të enjten, më 18 gusht, Albin Kurti pret të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kanë kaluar më shumë se një vit nga biseda e fundit e tillë, megjithëse negociatorët u takuan në një format tjetër në maj, në Berlin.

“Është herët të thuhet se si do të përfundojë dhe çfarë karakteri do të ketë takimi”, deklaron Kurti, kur pyetet çfarë pret nga takimi.

“Ky takim është dashur të mbahet më 19 korrik, por presidenti serb ka kërkuar që të shtyhet për një muaj”.

Kurti dhe Vuçiç do të takohen me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçakut, i dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialog, por gjithashtu edhe me Përfaqësuesin e Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell.

A mund të jetë historik takimi në Bruksel?

Teksa flet ditë para takimit, Kurti nuk ka një përgjigje konkrete për këtë pyetje.

“Bisedimet po zhvillohen në dy pista dhe e para është takimi i liderëve ku do të kemi dy pika po ashtu: elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes dhe çështjet aktuale dhe besoj se do të vazhdojmë në atë mënyrë”.

“Këto dy pika janë shumë të përgjithshme, por shpresoj se do të futemi në tema më specifike ndërsa bisedimet zhvillohen”.

Si pistë e dytë ai përmend bisedimet e ekipeve negociatore të udhëhequra nga Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës dhe Petar Petkoviç, shef i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Takimi ne Bruksel Kurti-Vucic

Beogradi zyrtar në anën tjetër, insiston të diskutohet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe,  të nënshkruar në Marrëveshjen e Brukselit nga viti 2013, dhe akuzon autoritetet e Kosovës për mos zbatimin e saj.

Kurse, Kosova insiston se Serbia nuk respekton marrëveshjet e arritura së fundi për markat e regjistrimit dhe energjinë.

Kryeministri i Kosovës me gatishmëri pohon se “me Serbinë ka arritur dy marrëveshje dhe i ka përmbushur të dyja, por Serbia nuk e ka përmbushur pjesën e saj”.

“Sa i përket regjistrimit, Serbia e ka thyer afatin në prill dhe tani jemi në problem”, thotë Kurti.

“Sa i përket energjetikës, institucionet e Kosovës e kanë regjistruar kompaninë Elektrosever për dy ditë, e cila ka pasur një javë për të na ofruar të dhëna të reja për përdoruesit – gjë që nuk është bërë as pas tetë javësh”.

Marrëveshja e përkohshme për targa u arrit vjeshtën e kaluar, ndërsa në prill kohëzgjatja e saj u vendos për gjashtë muaj – deri në formimin e qeverisë në Serbi.

Sipas asaj marrëveshjeje, pronarët e targave të lëshuara në Serbi i mbulojnë shenjat shtetërore me afishe kur hyjnë në Kosovë, ndërsa pronarët e veturave me targa të Kosovës bëjnë të njëjtën gjë kur hyjnë në Serbi.

Marrëveshja e fundit për energjinë, e cila asnjëherë nuk është prezantuar plotësisht në publik, trajton çështjet e kontrollit mbi burimet energjetike në veri të Kosovës.

Gjithashtu është planifikuar të vendoset tarifë për përdorimin e energjisë elektrike për banorët serbë që nuk i kanë paguar faturat e energjisë elektrike që nga viti 1999.

“Është interesant fakti që më kërkohet të vazhdoj atë që kanë bërë paraardhësit e mi, ndërkohë që Serbisë nuk i bëhet presion për të zbatuar atë që kanë rënë dakord me mua”.

“Ndoshta unë jam një negociator i ashpër, por ajo për të cilën bie dakord – bëhet”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore