Kosova

Kurti pas takimit me Lajçak: Nga dialogu të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve


Gjatë punimeve të Symi Symposium që po mbahet në Greqi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Mbarëvajtja e procesit të deritanishëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces, ishin tema kryesore të takimit.

“Kryeministri Kurti theksoi sërish që Qeveria e Republikës së Kosovës është përherë e gatshme për dialog parimor, të balancuar e konstruktiv”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Qeverisë.

Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme e të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

“Për këtë, kemi edhe Rezolutën e Parlamentit Evropian, të miratuar pak ditë më parë, ku bëhet thirrje që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje bazuar në njohje reciproke”.

Ndërsa Lajçak, njoftoi përmes një cicërime në Twitter se me kryeministrin kanë zhvilluar bisedime rreth situatës aktuale në rajon si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Në margjinat e simpoziumit të 24-të të Symi-t, Albin Kurti dhe unë biseduam për situatën në rajon, dhe dialogun për normalizim të marrëdhënieve. U përqendruam në veçanti për hapat e ardhshëm që duhet marrë në mënyrë që të bëhet përparim në dialog”, shkroi emisari sllovak.

Gjatë së hënës, Kurti diskutoi në panelin me temë “Implikimet e luftës në Ukrainë: Momentum i ri për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor? Mundësitë dhe skenarët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore