Kurti nuk heq dorë: Kryetarët veç në ndërtesa të komunave – Demokracia nuk mund të suspendohet
Albin Kurti
Armat Matoshi
30.05.2023 19:16Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar të martën në llogarinë e tij në “Facebook”, tha se kryetarët e rinj në tri komunat veriore të vendit e kanë “mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë” që funksionin ta ushtrojnë në objektet komunale.
“Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve”, tha Kurti.
“Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim”, shtoi ai, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që autoritetet të tërhiqen nga vendimi që kryetarët të kryejnë detyrat në objekte komunale.
Teksa komentoi plagosjen e pjesëtarëve të KFOR – kryesisht hungarezë dhe italianë – sulmet ndaj gazetarëve, djegien e veturave e thirrjet shoveniste të protestuesve , kreu i ekzekutivit theksoi se këto nuk janë vepra të komunitetit serb atje, por të bandave kriminale në krye me Millan Radoiçiçin dhe Zvonko Veselinoviçin.
“Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti”, theksoi Kurti.
“Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiç, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiç”, shtoi ai.
Lexo edhe këtë: Ambasadori amerikan “i trembur” nga kursi i Kurtit – Çka iu tha Hovenier kosovarëve?
Orëve të fundit, njoftoi shefi i qeverisë, institucionet kosovare kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse siç tha ai, “qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët”, por përveç shqetësimeve dhe brengave edhe “kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta”.
Krejt në fund, ai nuk harroi të falënderonte policët e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it, gazetarët dhe mediat, të cilët, përkundër tensioneve dhe sulmeve në veri, po kryejnë detyrat e tyre, përkatësisht ruajtjen e paqes dhe informimin e drejtë, ndërsa një falënderim të posaçëm e pati për qytetarët e Kosovës.
“Falënderoj policët e Kosovës, që përkundër tensioneve dhe sulmeve, kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizmin më të lartë. Falënderoj pjesëtarët e KFOR-it që përkundër synimeve të huaja për destablizim, po ruajnë paqen dhe sigurinë”, u shpreh kryeministri.
“Falënderoj gazetarët dhe mediat që përkundër rreziqeve dhe pasigurisë, na sollën me zë dhe figurë fytyrën e vërtetë të protestave të milicëve të dhunshëm. Dhe falënderoj veçanërisht qytetarët e Republikës për mirëbesimin dhe mbështetjen”, shtoi ai.
Ndryshe, të martën vazhdoi tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve elitare policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht trupa amerikane – janë vendosur para objekteve të komunave në këtë zonë.
Dhjetëra pjesëtarë të KFOR – kryesisht hungarezë dhe italianë – u lënduan gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan të hënën. Pasi paqeruajtësit e NATO-s kërkuan nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba e koktej molotovi.
Gjithashtu, veturat e ekipeve të gazetarëve kosovarë janë dëmtuar të hënën dhe të martën nga persona të panjohur në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe në to janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Janë dëgjuar edhe këngë shoviniste.
Derisa Serbia lëvizi ushtrinë në afërsi të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, nën urdhrat e qeverisë, filloi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore.
Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja atje nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.