Lajme

Kurti nënshkruan në emër të Avdullah Hotit – Qeveria: Dikush po na i nxjerr gabimet me qëllim


Në mesin e shumë vendimeve të cilat u morën një ditë më parë në Qeverinë e Kosovës, në njërin prej tyre, kryeministri Albin Kurti ka vënë nënshkrimin e tij nën emrin e ish kryeministrit Avdullah Hoti.

Bëhet fjalë për vendimin i cili flet për nënshkrimin e marrëveshje për financimin dhe zbatimin e projektit Heras+, vendim ky që lidhet më arsimin në vend.

Në këtë vendim figuron emri i Avdulla Hotit dhe nënshkrimi i Albin Kurtit.

Këtë gabim teknik të kryeministrit Kurti, e ka arsyetuar menjëherë zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.

Në llogarinë e tij në Facebook, Kryeziu ka akuzuar administratën e zyrës së Kryeministrit për publikim të dokumenteve, pa kaluar tek zyrtarët e caktuar brenda institucionit.

Që nga fillimi kryeministri Kurti dhe kabineti i tij sfidohen nga individë ende të panjohur nga administrata e Zyrës së Kryeministrit. Vendimet dhe emërimet e nënshkruara nga ai, shpesh, vazhdimisht dhe në mënyrë të organizuar rrjedhin në media para se të ndahen me zyrtarë të brendshëm, dhe madje përgatiten shkresa me gabime teknike”, ka shkruar Kryeziu.

Më tej zëdhënësi i qeverisë ka sqaruar se i njëjti dokument, është përmirësuar dhe protokolluar, pa gabime.

“Në lidhje me vendimin nga mbledhja e fundit, ai është përmirësuar menjëherë. Dokumenti i përmirësuar është protokolluar, por megjithatë shkresa e vjetër, para se të asgjësohet, është publikuar nga administrata. Administrata duhet t’i shërbejë kryeministrit të shtetit, jo ta luftojë atë”, ka thënë Kryeziu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore