Kosova

Kurti në Munih flet për qëllimet e rregullores së BQK-së


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe deputetja finlandeze Tyytti Tuppurainen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Munih për Konferencën e Sigurisë është takuar me deputeten finlandeze Tyytti Tuppurainen, me të cilën ka diskutuar për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Përmes një komunikate për media është thënë se Kurti e ka njoftuar atë për qëllimet e kësaj rregullore.

“Për sa i përket zhvillimeve të fundit në vend dhe diskutimeve në lidhje me Rregulloren e re të Bankës Qendrore mbi Operacionet me Para të Gatshme, ai e njoftoi deputeten Tuppurainen me qëllimet e kësaj rregulloreje dhe kujdesin e institucioneve të vendit për të siguruar zbatim sa më të lehtë të saj”.

“Këtu ai nënvizoi periudhën tranzitore që në fokus ka informimin dhe planin 10 pikësh të Bankës Qendrore për zbatim të lehtësuar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në takim, është thënë se u diskutua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian

E po ashtu, Kurti pranoi urime me rastin e pavarësisë së Kosovës.

“Kryeministri Kurti pranoi urimet nga deputetja finlandeze Tuppurainen me rastin e 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe përgëzime për progresin e arritur viteve të fundit të evidentuar edhe nga indekset ndërkombëtare”.

Po ashtu, kreu i ekzekutivit të Kosovës, e uroi atë edhe për anëtarësimin e Finlandës në NATO.

“Ai tha se Republika e Kosovës e konsideron NATO-n si ombrellën më të rëndësishme të sigurisë sot për demokracitë tona”.

“Andaj, edhe synim i Republikës së Kosovës është anëtarësimi i plotë në NATO, kurse anëtarësimin në programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, e sheh si hapin themeltar në atë drejtim, u shpreh kryeministri Kurti”.

Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Mynih të Gjermanisë, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë, është takuar edhe me kryetarin e presidencës trepalëshe (boshnjake, kroate dhe serbe) të Bosnje e Hercegovinës, Zheljko Komshiç.

Edhe në këtë takim u diskutua për temat aktuale, përfshirë Rregulloren e Bankës Qendrore, objektivat e saj, dhe veprimet që po ndërmarrin institucionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore