Kosova

Kurti, në ditën e Bajramit të Fitrit, kujton 37 hoxhallarët dëshmorë “BIK pati rol të madh për çështjen kombëtare të Kosovës”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) për nder të festës së Fitër Bajramit.

Kryeministri aty është pritur nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Pas vizitës kryeministri në një deklaratë të përbashkët me Tërnaven tha se kanë diskutuar për solidaritetin i cili është rritur në popullsi pikërisht gjatë muajit të Ramazanit.

“Ne urojmë që përkushtimi për anën shpirtërore të njeriut gjatë jetës dhe solidariteti shoqëror e farefisnor të mos jetë i kufizuar vetëm në këtë muaj por të jetë në secilin muaj gjatë gjithë vitit”, ka theksuar Kurti.

Në këtë vizitë ai theksoi edhe rolin, historik e shoqëror të BIK-ut në historinë e re të Kosovës.

“Te medreseja janë organizuar shumë mbledhje e takime, të cilët edhe i kanë strehuar veprimtarët politikë por edhe kanë mundësuar tubime ku janë mbajtur diskutime e vendime të rëndësishme për zhvillimet politike të asaj kohe. E dimë që nga lufta e fundit 37 imamë i kemi dëshmorë të kombit sot”, është shprehur Kurti.

Në BIK për vizitë kanë qëndruar edhe zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i LDK-se Lumir Abdixhiku dhe Naim Ternava.

Gjatë këtij takimi Abdixhiku, deklaroi se populli ynë ka nevojë për vlerat që përçon kjo festë, siç janë solidaritet e përkushtimi ndaj njëri-tjetrit.

“Në këtë festë të rëndësishme dhe me traditë në vendin tonë, shpresojmë t’i rikujtojmë e t’i kultivojmë këto vlera njerëzore fillimisht, ndaj solidaritetit, përkushtimit dhe qëndrimit ndaj njëri-tjetrit. Vendi ynë ka nevojë për këto vlera”.

Besimtarët myslimanë nga kjo e premte festojnë Bajramin e Fitrit.

Festë kjo që vjen pas Muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit myslimanët agjërojnë në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Në Kosovë ceremonia kryesor është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fati”,

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi ka uruar besimtarët për këtë festë ka bërë thirrje për unitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore