Kosova

Kurti në CNN: Serbia shumë agresive ndaj Kosovës, jemi të shqetësuar


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen amerikane, CNN, ka potencuar se “Serbia është shumë agresivë ndaj Kosovës”.

“Fillimisht duke mos e njohur si shtet të pavarur, krahas kësaj është e angazhuar në luftë hibride dhe bën stërvitje ushtarake në kufi”, i tha ai gazetares britaniko-iraniane, Christiane Amanpour.

Duke nënvizuar faktin se Serbia ka 48 baza operative përgjatë kufirit me Kosovën, Kurti potencoi se Beogradi është “në pritje të një dritareje të re të mundësive”.

“Ajo çfarë kërkojmë nga partnerët perëndimorë është që t’i bëjnë presion Beogradit që t’i tërheqin këto baza, që secila që ka 50-150 ushtarë, oficerë me pajisje, municion dhe armatim ushtarak ruse, por edhe atë kinez”, ka shtuar ai.

Nga aspekti politik, sipas Kurtit, Serbia është e ngjashme Rusinë.

“Ata nuk njohin de facto dhe de juro fqinjët e tyre, i shkaktojnë problmeve fqinjëve, sepse duan të zgjerohen”, potencoi ai.

Kurti ndër të tjera gjatë intervistës tha se Rusia dhe Serbia, historikisht, e kanë imituar njëra-tjetrën.

“Kremlini dhe Beogradi, historikisht, kulturalisht, politikisht, por edhe operacionalisht, kanë imituar njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse ne jemi shumë të shqetësuar, sepse është në interes të Kremlinit që të kontraktojë konflikte të mëtejshme në Evropë përmes përfaqësuesve të tij. Serbia në Ballkan është një përfaqësues i Rusisë”, ka thënë Kurti.

Në të njëjtën kohë me Kurtin në intervistë ishte edhe Wesley Clark, gjenerali amerikan në pension, i cili gjatë luftës në Kosovë shërbeu në pozitën e komandantit suprem të aleatëve të NATO-s.

Edhe sipas Clark Serbia është dora e Rusisë në Ballkan.

“Serbia i shërben interesave të Rusisë”, tha ai në një intervistë prestigjiozen amerikane, CNN.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në vlerësimin e tij, po sillet si i mençur, meqë dëshiron të duket sikur po luan në dy anët.

“Por, kur të vjen koha ai do të bëjë atë që do Putini që ai të bëjë. Ajo që ai do nga Putini është sigurisht autoriteti për të përdorur forcat e tij në Kosovë, dhe sigurisht duan ndarjen e Bosnjës dhe ta marrin Republikën Srpska dhe bërjen e ‘Serbisë së madhe’”, ka shtuar ai.

Clark ka kërkuar që NATO-ja të përfshihet në çlirimin e Ukrainës, ashtu siç bëri me Kosovën në vitin 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore