Lajme

Kurti ndryshe nga Vetëvendosje: “Për 20 vjet nga viktima jemi kthyer në fanar të demokracisë” – kush mendon ndryshe i bën favor Putin-it


Foto nga Albanian Post

Kosova është një storie suksesi për të cilën duhet të dëgjoja e gjithë bota dhe nga një viktimë e konfliktit është kthyer në një lider të demokracisë në vetëm 20 vjet, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur me 19 maj pati folur si i ftuar në “Atlantic Council”.

“Nga një viktimë e konfliktit dhe gjenocidit Kosova ia ka arritur të bëhet një shtet i pavarur dhe sovran, me institucione të plota demokratike dhe me një Kushtetutë të bazuar në principet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë dhe respektit për të drejtat e njeriut”, ka thënë Kurti.

“Historia e suksesit tonë duhet të ndahet me komunitetin global të shteteve demokratike”, thoshte ai.

Përtej se vetë demokraci lidere, Kurti thoshte se “Kosova tani i kontribuon paqes dhe stabilitetit, krenarisht duke shërbyer krahpërkrahë me partnerët dhe aleatët nga SHBA-të”.

Kah fundi i fjalimit, kryeministri pohon se “thënë shkurt, Kosova është fanari i demokracisë në rajon, ne jemi vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor”.

Kryeministri përsëritë në fjalim se “Kosova është storia e suksesit demokratik në rajon, prandaj duhet të mbështetet me ndihmë më të madhe financiare, duhet gjithashtu të mbështetet të bëhet anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera rajonale pa një tjetër vonesë”.

Madje, kush mendon ndryshe i bën favor presidentit rus, Vladimir Putin thotë ai.

“Besoni, të zhbëhet progresi i arritur në Kosovë do të ishte fitorja më e madhe që presidenti despotik Putin do ta donte”.

Ndryshe nga sa thotë Kurti në këtë fjalim, të hënën e 3 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka njxerrur një video-reklamë ku thuhet se Kosova është një vend i vjedhur dhe e mbytur nga korrupsioni për 20 vjet.

Madje, aty shtohet se klasa politike e kaluar, as tash nga opozita nuk po e lejon Kosovën të lulëzojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore