Kosova

Kurti, ndërkombëtarëve: Të bëhet presion mbi Serbinë – e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25 vjetorin e masakrave të kryera nga forcat e armatosura të Serbisë nga Krelani i Gjakovës, ka kërkuar sërish nga ndërkombëtarët që të bëjnë trysni mbi Beogradin për krimet mizore që kanë kryer forcat serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Kurti, në fjalimin e tij para gazetarëve ka thënë se derisa drejtësia të triumfojë, plagët do të vazhdojnë të jenë të hapura.

“Ju bëjmë thirrje edhe faktorit ndërkombëtar që të bëjnë trysni mbi Beogradin, në mënyrë që të ketë drejtësi për Kosovën, për viktimat e shumta gjithandej, të pranverës së vitit 1999, meqenëse pa drejtësi, plaga vazhdon të kullojë, e familjet e martirëve vazhdojnë që të kenë ankth e vuajtje, meqenëse shumë prej tyre nuk e dinë se ku i kanë trupat e pajetë e më të dashurve të tyre”.

“Përgjegjësia dhe e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar dhe prej andej ne do të duhej që të mësojmë dhe të na kthehen edhe trupat e më të dashurve tanë, të cilët vazhdojnë të mungojnë edhe 25 vjet më vonë.

Duke shtuar se, “mbi 1600 të pagjetur janë ende në Kosovë”.

Foto nga Zyra e Kryeministrit.

Kurti, kujtoi se pjesa më e madhe e te vrarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë ishin civil të pambrojtur.

Prandaj, sipas tij drejtësia s’duhet të vonohet më shumë duke thënë se “ekzekutorët janë me qindra gjithandej Kosovës dhe do të duhej që të përballeshin me drejtësinë”.

“Aq më tepër pra që në Tribunalin e Hagës ekziston gjykimi dhe dënimi për urdhërdhënësit. Tash për të tjerët që kanë kryer këto krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe të gjenocidit në terren, të ketë procese gjyqësore në Kosovë”.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.

Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore. Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore