Lajme

Kurti: Mua më votoi populli, nuk më emëroi ambasadori Hovenier


Jeff Hovenier dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për programin “Konfront” të KTV-së, pas përplasjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me situatën në veri të vendit, tha se për ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, ka vlerësimin dhe respektin më të lartë, krahasuar më të gjithë ambasadorët e tjerë.

“Mua më ka votuar populli i Kosovës, nuk më ka emëruar ambasadori, duhet ta kuptoni këtë gjë. Mua më ka votuar populli, ai të voton edhe ai të heqë, nuk është emërim kryeministri… kryeministri është zgjedhje e atij që është burim i sovranitetit”, deklaroi Kurti.

Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-ja ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, ndërsa për kritikat e ashpra nga zyrtarët amerikanë që kryetarët e rinj të komunave në veri të ushtrojnë detyrën jashtë objekteve komunale, kreu i ekzekutivit tha se “nuk është normale që të pajtohesh çdo herë me gjithçka”.

“Ata e kanë gjithnjë e më të qartë dhe unë do t’i bindi më kollaj nëse më ndihmoni më shumë. Por, edhe nëse nuk më ndihmoni, bindja do të ndodhë, sepse Republika e Kosovës është ndërtuar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve”, shtoi ai.

________________________________________________________________

Kurti: Më shqetësuese është “milicia fashiste” në veri se sanksionet e SHBA-së

Pasoja e parë apo “sanksionet” e para tashmë kanë arritur në adresë të Qeverisë së Kosovës. Kosova “s’ka çka lypë” më në stërvitjen ushtarake ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO-ja “Defender Europe ’23”. Megjithatë, më shqetësuese se kjo, kryeministri Albin Kurti tha se është “milicia fashiste” në veri.

“Është shqetësuese, është brengosëse, por më shqetësuese dhe më brengosëse janë milicia fashiste në veri. Shpeshherë në politikat qeveritare, në vendimet ekzekutive nuk ke opsione ideale, e shpeshherë as optimale. Pra, vendimet, opsionet ideale janë luks e nganjëherë madje edhe optimale”, tha Kurti.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se vendimet e fundit të kryeministrit Kurti, janë duke ndikuar drejtpërdrejtë në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve – diçka që asnjëherë nuk është thënë më parë nga zyrtarët amerikanë.

_________________________________________________________________

Kurti: Kryetarëve në veri po iu ecë rroga, vende të punës i kanë objektet komunale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për programin “Konfront” të KTV-së, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që kryetarët e rinj në katër komunat veriore të ushtrojnë funksionet e tyre në hapësira alternative, insistoi se “vendi i punës së kryetarit është në ndërtesë të komunës” dhe se “atyre po iu ecë rroga”.

“Shkalla e rrikshmërisë është e lartë rrotull komunave, ndërkaq për vendbanimet tjera nuk ka diçka të jashtëzakonshme. Këto protesta janë prej lartë, jo prej poshtë. Bëhet fjalë për turma që nacional-shovenizmit serb të ekstremit të djathtë që dëshirojnë pushtet…”, deklaroi Kurti të enjten.

Kryetari i Zubin Potokut dhe ai i Leposaviqit, të cilët fituan zgjedhjet me Partinë Demokratike të Kosovës, ishin përgjigjur ndaj thirrjes për takim me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, kurse dy kryetarët e partisë së Kurtit nuk i kanë shkuar në takim sepse, siç tha ai, “takimi u organizua në orarin e punës”.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, me urdhër të Qeverisë së Kosovës, realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore