Kosova

Kurti mbron Kusari-Lilën: Për detyrë e ka që të sigurojë vota


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dal në mbrojtje shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila edhe pse kjo e fundit ka biseduar pesë herë me kriminelin Milan Radojiçiç, i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Për Kurtin, Kusari-Lila, e ka për detyrë të sigurojë sa më shumë vota në Kuvend, derisa ka shtuar se qeveria e udhëhequr nga ai “ka zero varësi nga Lista Serbe”.

“Shefja e grupit parlamentar natyrisht jo vetëm që komunikon me shefat e grupeve të tjera parlamentare, por e ka për detyrë që të sigurohen sa më shumë vota. Qeveria ka zero varësi nga Lista Serbe”, tha Kurti para gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit të Qendrës Multifunksionale në Podujevë.

“Gjatë takimit që ajo ka pasur kur ata ishin në Kuvend, aty asaj i është lëshuar në interfon që s’mund të thuhet se është takim, pushteti jonë është demokratik dhe i pavarur”, shtoi ai.

Kreu i Qeverisë ka potencuar po ashtu se përgjimi është “i gjymtuar” dhe se sipas tij, duhet që organet e drejtësisë të merren me të.

“Ka interpretime partizane që njerëzit të mos mendojnë vetë për atë çfarë po dëgjojnë, e që qartazi është një incizim i redaktuar”.

“Unë as që kam komunikuar, e as takuar, ndonjë herë personin në fjalë. Keni kujdes sa i përket luftës hibride që bëhet nga Serbia”, theksoi Kurti.

Ndërsa Kusari-Lila dy ditë më parë, pati sqaruar se kryeministri Kurti nuk ka qenë i informuar për bisedat e saj me anëtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiç dhe kriminelin Milan Radojiçiç.

“Jo nuk ka qenë në njohuri Albin Kurti, kjo nuk është diçka që është përgatitë. Kjo është diçka që jam ballafaquar në moment kur në zyrë ka qenë Sllavko Simiç. Natyrisht ai e ka përmendur vazhdimisht Radojeçiç-in”, tha Kusari-Lila.

Ajo kishte shtuar se është takuar me Kurtin, derisa ky i fundit nuk ia ka kërkuar dorëheqjen.

“Unë kam kërkuar vet t’ia shpjegojë situatën, kryeministri ka dëgjuar dhe m’i ka bërë edhe disa pyetje shtesë edhe nuk e ka kërkuar dorëheqjen time”, shtoi kryedeputetja e VV-së.

“Më ka pyetur për përmbajtjen e bisedës dhe natyrisht për komentet të cilat janë dhënë”, ka treguar Kusari-Lila.

Ndryshe, Kusari – Lila e pranoi dy ditë më parë se ka biseduar vetëm “2-3 minuta” dhe jo më shumë me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç, person në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i ikur nga drejtësia në Kosovë, por në pjesën e dytë të përgjimeve të publikuara nga Nacionale.com, del se ajo ka biseduar me këtë të fundit pesë herë.

Mimoza Kusari-Lila gënjeu, me “Radojiçiç-in foli 5 herë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore