Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të enjten ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë për të diskutuar rreth situatës aktuale të sigurisë në vend.
Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit.
“Gjatë paradites, me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në të cilën u diskutua rreth situatës së sigurisë në vend, aktiviteteve të institucioneve anëtarë të këtij mekanizmi dhe planifikimet për periudhën në vijim”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa theksohet se në takim është diskutuar edhe për çështjet e përgjithshme të sigurisë publike dhe sfidat aktuale të ndërlidhura me zjarret dhe sigurinë në komunikacion.
“Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim i kanë shtuar aktivitetet e tyre për të parandaluar por edhe mbajtur nën kontroll përhapjen e zjarreve, si dhe masat tjera në shërbim të rritjes së sigurisë në komunikacion”.
“Ato do t’i shtojnë përpjekjet e tyre edhe në kuadër vetëdijesimit të qytetarëve në parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe sigurisë së shtuar në trafik”.
Në muajin qershor Kurti kishte mbajtur një mbledhje të ngjashme pas rrëmbimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës në brendi të territorit nga Serbia.
Me anëtarët e Këshillit të Sigurisë ai kishte diskutuar për situatën e përgjithshme të sigurisë, me theks te katër komunave në Veri të vendit dhe brezit kufitar me Serbinë.
Një mbledhje të sigurisë, kryeministri Kurti e kishte mbajtur edhe më 25 shtator pas sulmit në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri tashmë i shpallur hero nga institucionet e Kosovës, Afrim Bunjaku.
Mbledhjet e Këshillit të Sigurisë së Kosovës thirren nga kryeministri, që është edhe kryetar i Këshillit, për të shqyrtuar çështje të sigurisë që konsiderohen të rëndësishme.
Në raste emergjente ose në situata të veçanta, mbledhjet mund të jenë më të shpeshta.