Lajme

Kurti: Kthehet në funksion blloku B2 i termocentralit Kosova B


Albin Kurti - Kryeministër i Republikës së Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është kthyer në funksion blloku B2 i termocentralit, Kosova B.

Kurti, lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij të Facebook-ut, ndërsa ka thënë se sinkronizimi ishte bërë në mbrëmjen e vonshme të 22 janarit, teksa kthimi në punë ka ndodhur një ditë më vonë.

Albin Kurti – Kryeministër i Republikës së Kosovës.

“Rreth 200 euro kushtoi 1 MWh në bursën ndërkombëtare të energjisë dje. Mirëpo sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MW”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55, gjendja e turbinës është e mirë dhe nuk ka pasur nevojë për balancim”, ka shtuar ai.

Mes tjerash, i pari i Qeverisë, ka thënë se Kosova do të paguaj 50 mijë euro më pak në importin energjetik, ndërsa ka “shpresuar” që tashmë të kishte ndodhur rindërtimi i TC “Kosova A”.

“Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas”, ka shtuar Kurti.

“Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila!” , ka përfunduar ai.

Blloku B2 kishte rënë jashtë sistemit të prodhimit më 14 dhjetor të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore