Kosova

Kurti kritikohet për përkrahjen publike ndaj Akil Gjakovës: Mesazh i rrezikshëm


Kryeministri Albin Kurti dhe xhudisti Akil Gjakova.

Organizata joqeveritare QIKA i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për përkrahjen që ka ofruar ndaj xhudistit Akil Gjakova – përmes një shkrimi të publikuar të hënën në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas kësaj organizate meqë Gjakova vazhdon të jetë nën hetime për dhunë në familje, mbështetja që po merr nga krerët e shtetit është e papranueshme.

“Ne, në QIKA, jemi të vetëdijshme për faktin që rasti i xhudistit Akil Gjakova është duke u trajtuar nga institucionet e drejtësisë dhe respektojmë parimin e prezumimit të pafajësisë, megjithatë konsiderojmë se përkrahja publike e një personi që është nën hetime për dhunë në familje dhe i cili fillimisht ka ikur nga përgjegjësia dhe është shpallur “person në kërkim” nga policia është krejtësisht e papranueshme”.

“Kryeministri Kurti nga Parisi glorifikoi shpirtin luftarak të Akil Gjakovës, derisa në Kosovë i njëjti është nën hetime për dhunë në familje dhe gjykata i ka vendosur masë ndalese që t’i mos afrohet bashkëshortes në distancë prej 50 metrash për periudhë kohore një vjeçare”, thuhet në komunikatën e tyre.

Sipas tyre, amnistia e vazhdueshme e kryeministrit për Akil Gjakovën inkurajon abuzuesit e grave.

“Përjetëson kulturën ku kryerësit apo të denoncuarit për vepra penale gjejnë strehë dhe mbështetje nga personat publik, ndërkohë që viktimat mbesin në margjina dhe të cenuara. Kjo qasje dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të minimizohet apo edhe të justifikohet, nëse kryesi i veprës ka arritje sportive apo të tjera”.

Në muajin prill, Policia e Kosovës kishte arrestuar xhudistin Akil Gjakvoa si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje,.

Para arrestimit policia e kishte shpallur në kërkim xhudistin Akil Gjakova.

Ndërsa përmes një letre publike xhudisti Gjakova, kishte mohuar pretendimet për dhunë në familje edhe pse ky i fundit ishte denoncuar nga gruaja e tij për veprën e lartcekur, derisa Prokuroria Themelore e Pejës kishte kërkuar nga Policia që ta arrestojë xhudistin pejan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore