Kosova

Kurti: Krimet e rënda po hetojnë rastin e bllokimit të rrugëve në Veri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën parlamentare të 18 nëntorit, ka bërë të ditur se drejtoria për hetime të krimeve të rënda është duke e hetuar rastin e bllokimit të rrugëve në veri, pas aksionit për zbatimin e reciprocitetit për targa.

Kështu duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, pasi ky i fundit ka kërkuar informacione shtesë në lidhje me dy fotografi që Kurti ka bërë publike, ku personat në ato fotografi janë proklamuar si kriminel dhe organizatorët e bllokadës në Jarinje dhe Bërnjak.

“Pushteti gjyqësor është i pavarur dhe pushteti ekzekutiv nuk mund të ndërhyjë në punën e këtyre të fundit. Bazuar në informacionin e pranuar më 15 tetor 2021 ku janë përfshirë personat e dyshuar, njëri nga Mali i Zi dhe tjetri nga Serbia, në këtë fazë ende janë duke u zhvilluar procedurat e hetimit dhe pas përfundimit të tyre prokuroria do të veprojë për të sjellë drejtësi”, ka thënë Kurti.

I pari i ekzekutivit iu është përgjigjur edhe pyetjes së deputetes nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, për shpronësimet, me ç’rast ka thënë se me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, borxhet për shpronësim kanë qenë në vlerë prej 184 milionë euro, ndërsa buxheti i ndarë për të nga qeveria e kaluar ka qenë zero.

“Shumë mirë e dini sesi disa këtej kanë blerë qindra hektarë tokë për një euro e tri euro. Pra ka paguar shteti, jo ata. Ne kemi problem me plaçkitjen që është bërë më këto prona. Asnjëherë nuk do te lejoj që përgjatë rrugës te na dyfishohen vlerat siç ka ndodhur me ju”, ka thënë Kurti në përgjigje për deputeten e AAK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore