Lajme

Kurti: Kosova s’kishte siguri askund në 1998-1999


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën ka kujtuar masakrën që kishte ndodhur në fshatin Reznik të Vushtrrisë duke thënë se vitet 1998-1999, i gjetën shqiptarët të pasigurt në të gjithë Kosovën.

Kreu i ekzekutivit përmes një video të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, potencoi se krimet e kryera në këtë pjesë u dëshmuan edhe nga pamjet.

“Fshati Reznik i Vushtrrisë ishte bërë strehë për mijëra civilë shqiptar nga Drenica, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që granatoheshin nga ushtria e Serbisë. Civilët e pambrojtur qëndronin në kushte të rënduara, që e dëshmoi edhe komisionerja e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Sadako Ogata gjatë vizitës në shtator 1998, siç shihet në videon nga arkiva e AP”.

“Gjatë luftës në vitet 1998-1999 shqiptarët nuk ishin të sigurtë as në Reznik, e askund tjetër në Kosovë”, ka shkruar ai.

Ai kujtoi edhe vrasjen e vëllezërve Ujkani, por jo vetëm.

“Më 6 prill 1999, katër njësi të forcave të armatosura të Serbisë hynë me dhunë në katër shtëpitë e vëllezërve Ujkani. Në kohë të njëjtë, vranë nëntë anëtarë të kësaj familje, e kështu vepruan më vonë edhe ndaj familjeve Mustafa, Makiqi dhe Bunjaku”.

Ndërsa, shtoi se angazhimi i tyre po bëhet për të forcuar Kosovën si shtet.

“Kujtojmë sot civilët e vrarë në Reznik. Nuk e harrojmë asnjëherë dhembjen e qëndresën e popullit tonë. Nuk i harrojmë të dashurit tonë që i humbëm në rrugën e vështirë deri te fitorja e çlirimi. Nderojmë përditë kujtimin për ta duke u angazhuar për forcimin e Republikës sonë”.

“Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, tha Kurti.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.

Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore. Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore