Kosova

Kurti: Kosova e meriton anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës


Foto: Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi që ai udhëheqë e meriton anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, pasi që ka theksuar se i ka përmbushur plotësisht standardet, kriteret, kushtet dhe parakushtet e nevojshme për anëtarësim në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Këto komente, Kurti i ka bërë gjatë një takimi që ka pasur të mërkurën me anëtarë nga delegacioni danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Fillimisht, siç njofton zyra e kryeministrit, Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për delegacionin dhe angazhimin e tyre aktiv në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në avokimin në përkrahje të Kosovës, “të cilat pasqyrojnë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta”.

Ai ka rikujtuar votën pro në shumicë të përfaqësuesve nga Danimarka (4 nga 5) por edhe në total të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës – me 82 për qind të votave në favor – në prill të këtij viti, duke rekomanduar që Komiteti i Ministrave të ftojë Kosovën që të bëhet anëtare e plotë e organizatës.

Kurti ka potencuar se ky rekomandim ishte një moment historik dhe i rëndësishëm, që reflekton përafrimin e Kosovës me standardet dhe parimet e Këshillit të Evropës.

“Demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut janë tri shtyllat kryesore të Këshillit të Evropës në të cilat Kosova ka bërë progres të madh në rajon dhe ka një kornizë ligjore të avancuar me të drejta të zgjeruara për komunitetet pakicë”, ka pohuar Kurti.

Në njoftim theksohet se kryeministri e njoftoi delegacionin “me progresin në avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik” dhe shtoi se nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfitojnë të gjithë qytetarët, sidomos komunitetet jo shumicë të cilat përfitojnë nga qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Nënvizoi suksesin e Kosovës në demokraci dhe socio-ekonomi përkundër përpjekjeve destabilizuese e agresive të Serbisë pro-ruse”.

Me delegacionin danez kryeministri ka folur edhe për raportet shumë të mira bilaterale mes Kosovës dhe Danimarkës dhe i falënderoi deputetët për kontributin e vazhdueshëm të Danimarkës në çlirim dhe zhvillim të Kosovës, duke theksuar orientimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore