Kosova

Kurti kërkon nga senatori amerikan që SHBA-të të bëjnë trysni mbi Serbinë për Radojiçiç-in


Chris Murphy dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar senatorin demokrat, Chris Murphy, në margjinat e Konventës Kombëtare Demokratike.

Siç thuhet në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës në platformën sociale, Facebook, Kurti ka kërkuar nga senatori amerikan që SHBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar për sulmin terrorist të 24 shtatorit.

“Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojiçiç t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë Kryeministri Kurti kërkoi që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, thuhet në njoftim.

Përveç sulmit terrorist, sipas njoftimit kuptohet se Kurti e Murphy kanë diskutuar edhe për procesin e dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ku Kurti ka theksuar përkushtimin e Kosovës për zbatimin në plotni të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit. Ai shtoi se për t’u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes”.

“Kryeministri Kurti nënvizoi se Serbia duhet të tërheqë letrën e dërguar drejt Bashkimit Evropian nga ana e ish-kryeministres Brnabiq dhjetorin e vitit të kaluar, përmes së cilës shprehet refuzimi dhe tërheqja nga marrëveshja nga ana e Serbisë”.

Serbia, sipas Kurtit, duhet të kthehet te marrëveshja dhe ta respektojë atë në mënyrë që e njëjta të zbatohet.

“Nuk ka zbatim të marrëveshjes sepse para së gjithash nuk po ka respektim të saj”, citohet të ketë thënë Kurti.

Kurti, gjatë takimi, ka shprehur interesimin e tij për “rritjen e bashkëpunimit e shkëmbimit tregtar dhe ekonomik me aleatët e partnerët tanë amerikanë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore