Kosova

Kurti kërkon nga ndërkombëtarët hapjen e arkivës së Brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, u ka bërë thirrje faktorëve ndërkombëtare që të angazhohen më shumë për të zbardhur fatin e personave të zhdukur.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ju bëjmë thirrje edhe njëherë faktorëve ndërkombëtarë që ashtu siç na kanë ndihmuar së fundmi me trysni mbi Serbinë që të fillojë gërmimet në Kozhle në Sanxhak, midis Tutinit dhe Novi Pazarit, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi, dhe arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave të hapet, dhe të zbardhen shumë informacione”, ka shkruar ai.

Kurti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se në arkivat e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave ndodhet e vërteta për të zhdukurit.

“Në këtë periudhë kohore, më saktësisht në verën e vitit 2014, pra para 10 vjetëve, arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave është klasifikuar me vendim në Serbi për 30 vjet. Pra ajo nuk do të hapet deri në vitin 2044”.

“Në ato arkiva, ndodhet e vërteta. Kjo është dhe arsyeja pse nuk janë të qasshme. Sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se Velko Odalloviç dhe Zoran Angjellkoviç, do të duhej të ishin në bankën e të pandehurve duke marrë dënimin e merituar.

“Në fakt, Velko Odalloviç dhe Zoran Angjellkoviç kanë qenë dy personat kryesorë. Ndërkohë që sot do të duhej të ishin në bankën e të pandehurve, të ketë gjykim të drejtë për ta dhe ndëshkim të merituar, ata janë persona të privilegjuar të regjimit të Vuçiqit, ku Odalloviç udhëheq Komisionin për persona të zhdukur në Serbi, që nga viti 2004, ndërsa Angjellkovi ç mban poashtu poste të larta, si ushtrues detyre i Drejtorit të Postës së Serbisë”.

Kosova dhe Serbia, vitin e kaluar u pajtuan për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Deklarata ndër të tjera përfshinë qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar. Vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1 mijë mbetje mortore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore