Kosova

Kurti kërkon nga ambasadorët e vendeve të BE-së largimin e masave


Foto nga Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe nga ambasadoret e Gjermanisë, Francës, Italisë e Mbretërisë së Bashkuar që të largohen masat.

Çështje diskutimi ishte edhe plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë drekë, kryeministri theksoi rëndësinë që ka Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën, veçanërisht, dhe përgatitjet që Qeveria po bën për këtë plan”.

“Ai bëri thirrje për largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës, teksa përsëriti mbështetjen dhe orientimin e qartë që Kosova ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti, e falënderoi ambasadorin Szunyog për kontributin e dhënë në Kosovë – meqë ai është në përmbyllje të mandatit duke e vlerësuar bashkëpunimin me të si “të mirë”.

Më 20 korrik, Szunyog, ka thënë se masat ndëshkuese ndaj Prishtinës janë vendosur nga 27 vendet e Unionit, dhe për t’u hequr duhet që të pajtohen përsëri këto 27 vende.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit të kaluar, për shkak të tensioneve të krijuara në Veri të vendit – i banuar me shumicë serbe.

Për të gjithë ato që kishin ndodhur, fajtore ishte bërë qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, prandaj edhe Unioni kishte marrë masa ndaj vendit që ai e udhëheqë.

Së fundmi, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin që ua ka dorëzuar vendeve anëtare për masat ndëshkuese, ka sugjeruar që të njëjtat t’iu hiqen menjëherë Kosovës.

Mirëpo, disa vende kanë qenë të mendimit se Kosova nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme për shtensionimin e situatës, dhe kanë vendosur që masat të hiqen gradualisht dhe pjesërisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore