Kosova

Kurti kërkon nga ambasadorët e QUINT-it largimin e masave të BE-së


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë të premtes është takuar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilët ka diskutuar për largimin e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave.

“Kryeministri theksoi dhe nevojën që BE-ja të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, pasi arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje, thuhet se qëllimi i takimit ishte informimi dhe koordinimi për temat aktuale.

“Fillimisht u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr vendi ynë në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminent”.

“Kryeministri deklaroi se presim avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë”.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë kësaj jave është takuar me ambasdorët e QUINT-it.

Edhe Osmani kishte theksuar nevojën imediate të heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës.

Kjo pasi sipas saj të njëjtat, “janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog, si dhe njëkohësisht theksoi se Kosova ka ndërmarr hapa konkret në përputhje me planin e dakorduar për këtë çështje”.

Po ashtu, në takim u diskutua edhe për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në Veri, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore