Kosova

Kurti: Kemi bërë progres në zhvillimin ekonomik


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Jacques Marion.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën e 4 marsit një delegacion nga Federata e Paqes Universale, të udhëhequr nga Jascques Marion.

Kurti në këtë takim ka folur për angazhimin në një vit qeverisje për zhvillimin e ekonomisë, sundimin e ligjit dhe reformat në sistemin e drejtësisë.

Përmes një komunikate për media, thuhet se Kurti konsideron se Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik gjatë vitit 2021.

“Në vitin e parë në detyrë, kemi arritur rritje ekonomike prej 10,53%, me një rritje prej 83,6% të eksporteve, një rritje prej 21% të Investimeve të Huaja Direkte, një rritje prej 30% të të hyrave buxhetore, 31% rritje të taksave të arkëtuara dhe 34% rritje të të ardhurave nga tatimet. E gjithë kjo pa ndryshuar politikën fiskale”, ka thënë ai.

Kurti në takim me delegacionin e Federatës së Paqes Universale.

Ndërsa, duke treguar për punën rreth avancimit të politikave sociale, Kurti ka përmendur edhe rritjen e pensioneve për 11 për qind,  rritjen për 33 për qind të asistencës për personat me aftësi të kufizuara, ndarjen e fondeve në mbështetje për nënat e reja dhe foshnjat e të tjera.

“Biseduan për Samitin Botëror 2022 që temë kryesore kishte paqen në Gadishullin Korean. Samiti ku ishte i ftuar edhe kryeministri Kurti u mbajt më 15 shkurt në Seul të Koresë Jugore. Kryeministri Kurti iu pati drejtuar të pranishmëve nëpërmjet një videoincizimi, ku ndër të tjera theksonte që për paqe të qëndrueshme, të gjithë duhet të bëjnë pjesën e vet kudo që janë”.

Kurti në takim me delegacionin e Federatës së Paqes Universale.

“Përfaqësuesit e falënderuan kryeministrin për kontributin në samit dhe për angazhimin për paqen në përgjithësi. Në takim u diskutua për mundësitë e organizimit në Kosovë të një konference ndërkombëtare për paqe. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e promovimit të paqes dhe sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor pas agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë, që ka shtuar rrezikun nga ndikimi i Rusisë dhe synimi i saj për destabilizim të rajonit”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore