Lajme

Kurti ka mbetur pa zë në Ballkan, thotë Hoxhaj


Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se mospjesëmarrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në takimin me liderët ballkanikë në Tiranë ka ndodhur për shkak të inatit “të papeshuar të Kurtit”.

“Mospjesëmarrja e Kurtit në takim përgatitor të Tiranës për Procesin e Berlinit është dezertim i politikës së jashtme të Kosovës. Kjo ndodhë për shkak të inatit të papeshuar një sërë pretekstesh të ndërthurura keq që tregojnë që ka mbetur pa zë në Ballkan, në Evropë dhe botë”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndryshe, Rama ka përmbyllur takimin e tij joformal me liderët ballkanikë, ku i pranishëm ka qenë edhe komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Por, mungesë e madhe ka qenë Kosova dhe ajo çfarë më shumë bie në sy është fakti se kryeministri kosovar, Albin Kurti, e ka refuzuar ftesën e kreut të Qeverisë shqiptare për të ardhur në Tiranë.

Përndryshe, Kurti ka vendosur të jetë pjesë e një konference në Kretë të Greqisë dhe ku “paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, siç ka bërë me dije edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Sakaq, ai ka konfirmuar se Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, më 18 tetor.

Kurti, gjatë turit të Ramës në Ballkanin Perëndimor, ishte i vetmi lider, i cili nuk pati një takim kokë më kokë me homologun e tij shqiptar, pavarësisht këmbënguljes së Ramës.

Përkundrejt kësaj, kryeministri kosovar ka thënë se ka mbetur peng i anulimit të mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë, rreth të cilës Rama kërkoi një format tjetër nga ai i parashikuari, duke parë edhe situatën tejet të tensionuar në veriun e Kosovës ato ditë.

Rama mbyll takimin me liderët ballkanikë, vetëm Kosova jo e pranishme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore