Kosova

Kurti inspirohet nga Bideni: Franca, ndër miqtë e parë të Kosovës


Albin Kurti dhe Emmanuel Macron

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ngjarjen e organizuar nga ambasada franceze në Kosovë, për nder të ditës kombëtare të Francës, ka përsëritur deklaratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara (SHBA), Joe Biden, i cili, gjatë një vizite në Paris në qershor të këtij viti, theksoi se Franca “ishte miku ynë i parë” dhe “ajo mbetet një prej miqve tanë më të mirë”.

“Me 8 qershor të këtij viti, me rastin e vizitës së tij shtetërore në Francë, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, tha për Francën se ‘ishte miku ynë i parë’ dhe ‘ajo mbetet një prej miqve tanë më të mirë’. Gati të njëjtën mund ta them edhe unë, në emër të Kosovës”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit.

“Prej ndërhyrjes së NATO-s në 1999, deri në Deklaratën e Pavarësisë në 2008, deri më sot, Franca ka qenë ndër miqtë e parë të Kosovës dhe vazhdon të jetë ndër më të mirët. Në momentet më të rëndësishme të historisë sonë, si popull dhe si shtet, në raste të gëzimit dhe ato të pikëllimit, juve ju kemi gjetur në krah. Për këtë, kemi qenë, jemi, dhe do të jemi përherë, falënderues”.

Ndryshe, dita kombëtare e Francës është e lidhur me kryengritjen popullore dhe marrjen e Bastijës më 14 korrik 1789 – pikënisje e revolucionit francez. Një trashëgimi e epokës së iluminizmit, motoja e famshme “Liberté, Egalité, Fraternité” vazhdon të jetë motoja kombëtare e Francës, por edhe e vendeve të tjera liberale që ndajnë parimin e Lirisë, Barazisë dhe Vëllazërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore