Lajme

Kurti inspekton nga afër punimet në autostradën e Gjilanit: Do t’i kushtojmë rëndësi punimeve cilësore


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte i shoqëruar nga Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kryetari i Komunës se Gjilanit, Alban Hyseni, dhe deputetët Arijeta Rexhepi e Luan Aliu, ka vizituar nga afër punimet që po bëhen në ndërtimin e autostradës së Gjilanit, ku edhe ka thënë me bindje se autostrada Prishtinë-Gjilan “po bëhet”.

“I vizituam tre llotet. Llotin e parë në gjatësinë mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të dytë dhe llotit të tretë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave sikurse Smallusha që të ketë gjithashtu qasje”, deklaroi Kurti, njofton zyra e kryeministrit.

Ndërkaq, ai u zotua se do t’i kushtojë rëndësi “punimeve cilësore, por gjithashtu edhe ndriçimit dhe sinjalistikës”.

“Po ashtu falënderoi edhe ministrinë, punëtorët e pronarët e operatorëve ekonomikë të cilët po e përmbushin kontratën me punë cilësore”.

Nga ana tjetër, zëvendësministri Durmishi potencoi se punimet po zhvillohen “me intensitet të lartë në 8 llotet dhe po bëjnë përpjekjet maksimale që punimet të përfundojnë gjatë këtij viti, sepse buxheti është ndarë për këtë dhe vizitat e shpeshta janë inkurajim për operatorët ekonomikë dhe për punëtorët që të punojnë me përkushtim, në mënyrë që kjo të përfundohet sa më shpejtë”.

“Zëvendësministri shtoi se aktualisht janë në përgatitje e sipër të dokumentacionit të nevojshëm në mënyrë që në vitin e ardhshëm të fillojmë me vazhdimin e kësaj autostrade nga Bresalci deri te Dheu i Bardhë, për t’u afruar kështu me Korridorin 10 në një distancë prej vetëm 10 kilometra”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, thuhet të ketë falënderuar kryeministrin Kurti dhe zëvendësministrin “për angazhimin e vazhdueshëm për përfundimin e autostradës së Gjilanit”, projekt ky i cili siç tha kryetari, “ka rëndësi të veçantë jo vetëm për Anamoravën por edhe për gjithë vendin tonë, për shkak të lidhjeve dhe korridoreve ndërkombëtare”.

“Anamorava dhe Gjilani që ishin në harresë të qeverisjeve të kaluara në kuptim të angazhimit dhe përkushtimin ndaj qytetit, tashmë kanë marrë vëmendjen e duhur dhe projekti është në rrugë të mirë që të përfundojë brenda këtij viti”.

Tutje, Hyseni është shprehur se përgatitjet dhe angazhimi i qeverisë është që ky projekt të përfundojë këtë vit, “ndërkohë që nga punimet që po zhvillohen në terren, tregojnë që ky intensitet i punimeve do të jetë i pritur në fund me përfundimin total të autostradës deri në Bresalc”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore