Lajme

Kurti i fton bizneset që të investojnë në pajisje efiçiente për ngrohje


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar bizneset që të investojnë në pajisje efiçiente për ngrohje si pompë termike, kondicionerë, kaldajë me biomasë dhe stufa individuale me biomasë, përmes subvencionimit të Qeverisë.

“I ftojmë bizneset që të investojnë në pajisje efiçiente për ngrohje si pompë termike, kondicionerë, kaldajë me biomasë dhe stufa individuale me biomasë, përmes subvencionimit të Qeverisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se studimet ndërkombëtare kanë treguar se bizneset humbin rreth 1/3 e energjisë që e konsumojnë.

“Duke rritur efiçiencën ato përveçse kursejnë buxhetin e tyre dhe të shtetit, rrisin konkurrueshmërinë dhe produktivitetin. Sa më i suksesshëm sektori privat, aq më mirë për ekonominë e vendit”, shtoi Kurti.

“Për bizneset që janë në pronësi apo bashkëpronësi të grave me 51% e më shumë, subvencionimi do të jetë edhe më i lartë – pa barazi gjinore nuk mund të kemi barazi shoqërore”.

Kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se aplikimi tashmë është i hapur dhe i ndarë në dy faza.

“Afati i fundit i fazës së parë është më 12 dhjetor 2023, kurse ai fazës së dytë më 10 janar 2024. Atë mund të bëni online përmes platformës e-Kosova”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore