Lajme

Kurti, homologut bullgar: Jeni kontribut i rëndësishëm në sigurinë e Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri në detyrë nga Bullgaria Dimitar Glavchev.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kryeministrin në detyrë nga Bullgaria, Dimitar Glavchev, kanë diskutuar për situatën e sigurisë në rajon dhe në Evropë.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit.

“Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe kryeministri në detyrë i Bullgarisë Glavchev, diskutuan edhe për situatën e sigurisë në kontinentin e Evropës dhe atë në rajon, dhe folën për nevojën e bashkëpunimit sa më të thellë ndërmjet shteteve mike e partnere dhe ndërmjet shoqërive demokratike”.

Kurti, po ashtu vlerësoi edhe rolin që pati Bullgaria gjatë luftës në Kosovë.

“Bullgaria kishte luajtur një rol të rëndësishëm për ne në vitin 1999 duke hapur hapësirën e saj ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatës kundër Serbisë, që i dha fund gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë”.

“Ajo vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm në sigurinë e vendit tonë me pjesëmarrjen dhe praninë e trupave të saj në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it”, thuhet në komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit.

Çështje tjetër e diskutimit mes palëve ishte edhe miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.

“Deri më tani kemi të nënshkruara tetë marrëveshje dypalëshe dhe disa tjera që presin të finalizohen. Me synim fuqizimin e raporteve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare, në qershor të vitin të kaluar u themelua Oda Ekonomike Kosovë-Bullgari me seli qendore në Sofje”.

“Këtë vit, planifikohet të organizohet forum i përbashkët i bizneseve të Kosovës dhe Bullgarisë”.

Më 21 prill, Kurti, ka udhëtuar për në Bullgari për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës (VEF), i cili kësaj radhe mbahet në Sofje të Bullgarisë,

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore