Kosova

Kurti funksionalizon këshillin për persona me aftësi të kufizuar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Jemi zotuar të punojmë për një shoqëri më gjithëpërfshirëse. Këtë do ta arrijmë duke promovuar dhe respektuar diversitetin dhe barazinë, dhe përmes garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave me nevoja të veçanta”.

Kështu është shprehur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të konferencës së shënimit të Javës Ndërkombëtare të të Shurdhërve dhe Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave.

Kurti, ka deklaruar se për të rritur cilësinë e jetës dhe mirëqenies së personave me aftësi kufizuese, ka funksionalizuar këshillin për personat me aftësi të kufizuar dhe ka miratuar planin e veprimit për të drejtat e tyre.

Shënimi i 23 shtatorit si Ditë Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave

Sipas Kurtit, përmes planit të karakterizuar nga qasja gjithëpërfshirëse synon përmisimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, ofrimin e mundësive të barabarta për punësim dhe krijimin e kushteve për gjithëpërfshirës në arsim.

“Për qeverinë tonë, drejtësia sociale, që nuk përjashton askënd, nuk është një qëllim anësor, por thelbi i qeverisjes. Barazia është ndër vlerat themelore rreth të cilave duhet të bashkohemi të gjithë, si individë, si institucione e organizata, si shtet e si shoqëri”, shtoi ai.

Shënimi i 23 shtatorit si Ditë Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave vjen nga Rezoluta e Kombeve të Bashkuara e miratuar në vitin 2017.

Qeveria e Kosovës e ka njohur gjuhën e shenjave më 29 shtator 2010.

“Është vlerësuar se gjuha e shenjave kosovare është gjuha amtare/gjuha e parë për pesë mijë njerëz të shurdhër në Kosovë”.

Hapja e konferencës së shënimit të Javës Ndërkombëtare të të Shurdhërve dhe Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore