Lajme

Kurti e Krasniqi rreth ortodoksisë e platonizmit, përplasje filozofike në Kuvend


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, zhvilluan një seri polemikash të rrafshit teorik dhe filozofik, rreth asaj se kush-brenda-çfarë traditave filozofike e ekonomike përket.

Duke cituar Platonin për nevoja të veta, Kurti tha se s’është platonist; duke argumentuar ortodoksisht në terma ekonomik tha se është heterodoks. Duke synuar të homogjenizojë votën kundër Trust-it tha se populli s’është homogjen. Kështu, duke i dhënë kuptim fjalisë së famshme të Shekspirit se “për nevoja të veta edhe djalli e citon Biblën”.

Krasniqi ia rikujtoi kryeministrit se Platoni në fakt e përbuzte thellë demokracinë dhe e përjashtonte si projekt politik, dhe se Kurti, si kaherë që është thirrur në demos– (i.e popull), është e paparë të thirret në ekspertokraci ose “filozofët mbretër” çfarë konceptonte Platoni.

Përtej kësaj, platonisht konceptohej edhe “e mira” nga kryeministri, derisa thoshte se populli nuk duhet të pyetet për çështje ekspertësh. Andaj, tha Kurti, edhe nëse e citon Platonit, jo domosdshmërisht ai pajtohet me “gjithçka çfarë ka thënë Platoni”.

Pyetur rreth asaj se në çfarë shkolle ekonomike përket Vetëvendosja, Kurti tha se ata janë heterodoksë, dhe se kritikën e kanë pasur gjithmonë heterodokse, përçka Krasniqi ia rikujtoi një nga teoricienët e preferuar të atëhershëm të LVV-së, Vladimir Ilich Leninin, të cilin historia mund ta njohë për shumçka, vetëm jo heterodoks.

Megjithëkëtë grumbull kundërthëniesh, Kurti synoi të mposhtë idenë që dikush “as që duhet të diskutojë” e lëre më “të votojë”, Trust-in.

Krasniqi tha se në fakt “ju njiheni për ortodoksizëm”, derisa Hekuran Murati, ministri i financave, u desh të ndërhyjë, duke supozuar deputetët dhe qytetarët si të paditur rreth koncepteve të orto/hetero-doksisë, përçka tha se “kryeministri e ka fjalën për aspektin ideologjik, jo për religjion”.

Ideja se dikush mund ta ngatërronte, ka gjasë vinte nga premisa se ai atij vetë i mori kohë ta kuptojë se s’po bëhej fjalë për degëzimin fetar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore