Lajme

Kurti do nga Kuvendi “të nxjerrë një rezolutë të përbashkët” kundër Referendumit serb


Albin Kurti ne Kuvend

Ashtu siç paralajmëroi menjëherë pas përfundimit të takimit me ambasadorët e QUINT-it (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Bashkimit Evropian), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar shkresë zyrtare Kuvendit të Kosovës ku kërkon mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme.

“Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në dokumentin që ka dërguar Kurti në Kuvend.

“Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”.

Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, pritet të mbahet nesër e shtunë, me datë 15 janar 2022, në orën 14:00.

Kerkesa Zyrtare

Qëndrim të njëjtë – për mos mbajtje të Referendumit – ka pasur edhe opozita në Kosovë, mirëpo Kurti do që një unifikim i tillë të stampohet edhe me një rezolutë në Parlamentin e Kosovës.

Referendumi që pritet të mbahet në Serbi ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese atje. Qeveria deklaroi para disa ditësh që nuk do të lejohet mbajtja e këtij Referendumi edhe në territorin e Kosovës.

Në anën tjetër, shtetet e QUINT-it, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga qeveria që të mos ndalohet votuesi serb i Kosovës të votojë në referendum.

Gjithashtu, kanë përmendur organizimin e vendvotimeve nga OSBE-ja në Kosovë.

Mospajtimi ka bërë që të organizohet një takim urgjent mes Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Pas takimit, kryeministri Albin Kurti është deklaruar shkurtazi për media, duke treguar se po thërret një seancë të jashtëzakonshme për të shtunën, me 15 janar.

Më pas presidentja Vjosa Osmani ka dalur me një deklaratë të përbashkët për media, duke përfaqësuar edhe kryeministrin dhe kryeparlamentarin, duke treguar se nuk e kanë ndërmend të zbrapsen nga vendimi për mos-lejimin e referendumit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore