Kosova

Kurti diskuton me komandantin e KFOR-it çështjen e hapjes së urës së Ibrit


Albin Kurti dhe Ozkan Ulutas

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka takuar komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, me ç’rast është diskutuar hapja për qarkullimin e automjeteve të urës kryesore mbi lumin Ibër.

“Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ana e Zyrës së Kryeministrit pas takimit.

Kurti në takim, siç thuhet në komunikatë ka njoftuar komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës.

“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”.

Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, paralajmëroi përkeqësim të situatës së sigurisë në Veri të Kosovës dhe rrjedhimisht rrezikim të ushtarëve të KFOR-it në rast se hapet për qarkullim të automjeteve ura kryesore mbi lumin Ibër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, potencoi se kjo çështje s’ka nevojë të diskutohet, meqë ura do të hapet.

Në një prononcim të shkurtër për media, Kurti, të martën tha se çështja e Urës së Ibrit “është çështje e Kosovës” dhe se hapja e saj është shterur si temë në Bruksel në vitet 2016 – 2017.

“Nuk është çështje diskutimi është çështje hapje. Në vitin 2016 janë përmbyllur te gjitha diskutimet dhe është thëne se ura duhet të hapet më 20 janar 2017. Tash nuk jemi as në janar as në 2017. Jemi në gusht 2024”, ka thënë ai para gazetarëve.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Hovenier, tregoi arsyen se pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë edhe shtetet e QUINT-it, janë kundër që në këtë fazë të hapet për qarkullimin e automjeteve ura kryesore mbi lumin Ibër.

“Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë”, ka thënë Hovenier në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Sipas tij SHBA-të “marrim shumë seriozisht veprimet” që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën.

Hovenier nuk i është përgjigjur pyetjes se kush mund të shkaktojë dhunë në rast se ura mbi lumin Ibër hapet.

“Nuk mund të flas se kush mund të shkaktojë dhunë. Vetëm e di se kemi vlerësim që mund të ketë dhunë dhe që është reale dhe pyetja se kush mund të jetë përgjegjës për të, që është pyetje shumë e arsyeshme, nuk e mohon faktin se mund të ketë dhunë dhe rrezik të njëmendtë për komunitetin lokal dhe për ushtarët e NATO-s”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuara që në këtë çast ushtarët amerikanë të përballen me rrezik shtesë për këtë çështje”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ka rrezik për dhunë nëse hapet ura e Ibrit – rrezikohen ushtarët amerikanë, paralajmëron Hovenier

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore