Lajme

Kurti bisedë telefonike me Chollet-in: Marrëveshja bazë duhet ta ndryshojë realitetin në terren


Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për marrëveshjen e arritur me Serbinë më 18 mars në Ohër.

Përmes një bisede telefonike që Kurtit i ka bërë Chollet është diskutuar edhe për bisedimet që kanë qenë atë ditë.

“Kisha një telefonatë me Këshilltarin e lartë amerikan Chollet, i cili më uroi për marrëveshjen e darkoduar në Ohër, duke pranuar që bisedimet ishin bisedime të gjata dhe të vështira”, ka shkruar Kurti.

Teksa ka thënë se Chollet e ka falënderuar për mbështetjen dhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në arritjen e kësaj marrëveshje.

“Marrëveshja themelore dhe aneksi, siç thuhet në tekst dhe frymë, tani duhet të ndryshojnë në terren”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore