Kosova

Kurti: Beteja e Koshares u bë ferri mbi tokë për forcat serbe


Albin Kurti

Ndërsa Kosova kujton 24-vjetorin e Betejës së Koshares, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës sulmoi ushtrinë serbe, me qëllim thyerjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka kujtuar mëngjesin e hershëm të 9 prillit të vitit 1999.

Në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares, sipas Kurtit mund të shihet edhe si një panoramë e të gjithë betejave, te e cila mund të lexohen të përbashkuara karakteristikat e të dyja palëve ndërluftuese.

“Atyre të UÇK-së që në betejën për çlirimin e Kosovës nga Serbia, u ndihmua edhe nga ushtarët vëllezër prej Shqipërisë. Në anën tjetër, atyre që po luftonin në një betejë të padrejtë dhe për një tokë që s’ishte as nuk mbeti e tyrja, forcave serbe për të cilët, Beteja e Koshares ishte ferri mbi tokë”, ka shkruar Kurti.

Beteja e Koshares, sipas Kurtit, është një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në luftën për liri.

“Beteja e Koshares i ka garantuar UÇK-ja një nga meritat më të veçanta të luftës, atë të thyerjes së kufirit mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të vendosur më 1913 dhe të rivendosur disa herë ndër vite, që i kishte mbajtur të ndarë shqiptarët për gati një shekull. Qysh atë kohë lufte, kjo e lehtësoi kalimin e armatimeve dhe të trupave vullnetare të UÇK-së nga territori i Republikës së Shqipërisë drejt Kosovës. Kurse pas përfundimit të saj njëkohshëm me vetë luftën, kjo betejë i përbashkoi fizikisht shqiptarët”.

Kurti ndër të tjera, ka kujtuar me nderime dëshmorët e rënë në luftimet e Betejës së Koshares.

Beteja e Koshares

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore