Lajme

Kurban Bajrami dhe Vidovdani, Policia tregon masat që ka ndërmarrë për menaxhimin e sigurisë


Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën, për shkak të Kurban Bajramit dhe Vidovdanit, ka ndërmarrë disa masa në mënyrë që gjithçka të shkojë mirë dhe pa incidente.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se “referuar zhvillimeve të nesërme, aktiviteteve që mund të realizohen për festimin e ‘Kurban Bajramit’ në Republikën e Kosovës që fillon në orët e hershme të mëngjesit (05:00), si dhe ‘Vidovdanit’ që fillon rreth orës (07:00), në po të njëjtën ditë, Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare nesër më 28.06.2023, ka ndërmarr veprime planifikuese dhe operacionale për menaxhimin e situatës së sigurisë në vend”.

Masat që i ka paraparë Policia e Kosovës janë: “Parapërgatitja dhe ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në mënyrë që aktivitetet të zhvillohen në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike”.

“Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike; Garantimi i lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët; Kontrollimi dhe menaxhimi i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale”.

Përveç këtyre, nga Policia bëjnë me dije se “angazhimi i njësiteve policore për ri-orientim të trafikut në ato rrugë ku mund të ketë ndërprerje të përkohshme të rrugës apo të ndonjë korsie”, por edhe “zbatimi i kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, konform ligjeve të Republikës së Kosovës”.

“Festa e Vidovdanit mbahet në Graçanicë duke filluar nga ora (07:00), andaj do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në hyrje-daljet e komunës së Graçanicës, konkretisht në hyrje të fshatit Mramor dhe nga ana tjetër në hyrje të lagjes Veterrniku, ku automjetet do të riorientohen në rrugë alternative deri në përfundim të festës së Vidovdanit”, tregojnë tutje Policia masat e ndërmarra.

Ndërkaq, ata potencuan se referuar planifikimeve policore, menaxhmenti i lartë i PK-së kanë pritur në takim zyrtarë partnerët ndërkombëtar, “të cilët i kanë njoftuar lidhur me planifikimet dhe aktivitetet policore për ditën e nesërme, planifikime këto që kanë për qëllim krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët”.

Po ashtu, Policia i ka bërë thirrje qytetareve që të festojnë në mënyrë të qetë, dhe ka kërkuar mirëkuptim nga pjesëmarrësit e trafikut me rastin e ndërprerjes së përkohshme të rrugëve përgjatë kohës së festimeve, “pasi sipas nevojës do ti ridrejtojë automjetet në rrugë alternative për qarkullim dhe lëvizje pa pengesa”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore