Pajisje

Kur realiteti virtual ndihmon prindërit të vizualizojnë operacionin e fëmijës


I vogli Archie, veç gjashtë muajsh, lindi me një problem në kafkë.

Ky problem i vendosi prindërit e të voglit në pozita të vështira ku duhet të merrnin një vendim.

Ose të përballeshin me rreziqet e operacionit ose t’ia linin në dorë natyrës bashkë me ndikimet fizike dhe psikologjike që mund të pasonin gjendjen e të voglit të tyre.

Mirëpo, tregon agjencia e lajmeve “BBC”, falë një teknologjie të re pioniere, Amanda dhe Judd Michnowiec, ishin në gjendje të shihnin se cilat do të ishin paraprakisht ndryshimet.

E gjitha përmes realitetit virtual.

Për doktorin që qëndron pas tij, kjo zgjidhje teknologjike posedon më shumë informacion sesa marrin shumica e prindërve.

Një zgjidhje e realitetit virtual

I njohur si Sinostoza Sagittal, problemi i Archie lidhet me kafkën. Teksa truri zhvillohet, kafka nuk zgjerohet nga pjesët anësore për ta akomoduar atë.

Në vend të kësaj, kafka zgjerohet në pjesën e përparme dhe të pasme, duke shtrembëruar formën e kokës.

Paçka se kjo nuk është kërcënuese për jetën, mund të shkaktojë vonesë të të folurit, si dhe rritje të presionit intrakranial, sqaron “BBC”.

Kështu që Amanda dhe Judd nuk ngurruan kur Spitali Great Ormond Street për fëmijë u ofroi atyre mundësinë që të ishin të parët që përdorin një platformë të re novator të inteligjencës artificiale.

Platforma e re parashikon rezultatin e një operacioni në realitetin virtual.

Në konsultimin e tyre të parë, ata arritën të shihnin, nga të gjitha këndvështrimet, një rindërtim të kokës së Archie të krijuar nga një skanim.

Gjithashtu edhe se si do të dukej koka e tij pas procedurës së riformësimit.

Ndërkaq, algoritmet e nevojshme për të krijuar këto imazhe janë bërë të mundura nga shfrytëzimi i të dhënave të 60 operacioneve gjatë shtatë viteve të fundit.

Teknologjia, përpos lejimit të prindërve të shohin dhe të kuptojnë se çfarë ndryshimesh do të sjellë procedura, i inkurajon prindërit t’i sugjerojnë kirurgut modifikime të mundshme.

‘Fuqi prindërve’

Doktor Noor Ul Owase Jeelani, një neurokirurg pediatrik konsulent në spital, ka thënë se teknologjia nënkupton që çifti të ketë një pamje më të qartë të asaj që sjell e ardhmja.

“Çka do të doja të shihja si kirurg pas 10, ose ndoshta 20 vjetësh, është që shumica e praktikave kirurgjikale të bëhen në këtë mënyrë ku kontrolli dhe fuqia u jepet prindërve dhe pacientëve”, ka thënë ai.

Disa javë më vonë, shkruan “BBC”, pasi prindërit kishin konfirmuar vendimin e tyre për të vazhduar, Archie u fut në operacion.

Operacioni përfshinte futjen e një suste të vogël në kafkën e tij, e cila menjëherë fillon të korrigjojë formën e kokës së tij.

Vendosja dhe ndikimi i sustës u ilustrua edhe në mjedisin e realitetit virtual dhe pas katër javësh, ajo u hoq.

Kjo teknikë u shpik 13 vjet më parë nga doktor Jeelani dhe jo vetëm ka ulur kohën e operacionit nga tre orë në 40 minuta, por ka ulur edhe transfuzionet e gjakut me 90 për qind.

Gjithashtu ka çuar në rezultate më të parashikueshme dhe është kjo parashikueshmëri që i ka bërë të dhënat të përdorshme për vizualizimet e realitetit virtual me saktësi deri në 90 për qind.

Teksa teknologjia u krijua për një problem të veçantë, shpresohet se ajo mund të zbatohet në shumë lloje të ndryshme operacionesh në të ardhmen.

Dy javë pas operacionit, Archie po ecën mirë dhe familja e tij janë shumë më të qetë tani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore