Kosova

Kur dhe si pati njoftuar ministrja Haxhiu se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit?


Ilustrim

Ishte Albulena Haxhiu ministrja e Drejtësisë, ajo e para e cila në një konferencë për media më 8 dhjetor të vitit të kaluar njoftoi se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit – aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016 – nga Instituti i Mjekësisë Ligjore gjegjësisht nga laboratori i toksikologjisë.

Me të marrë lajmin, Haxhiu, kishte deklaruar se ka njoftuar Kryeporkurorin e Shtetit, Besim Kelmendin dhe ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Policisë së Kosovë, Fehmi Hotin.

Sipas ministres Haxhiu, nga laboratori i toksikologjisë mungonin 12 epruveta me gjak, një e urinë dhe një e lukthit të Deharit.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një epruvetë e lukthit”.

Në vendin ku rruheshin epruvetat,  tregonte Haxhiu, kanë qasje vetëm tre persona.

“Unë i di emrat e personave të cilët kanë qasje në këtë institucion në departamentin e laboratorit të toksikologjisë, por unë nuk mund t’i them ato, pasi që tashmë emrat e tyre i di edhe Policia edhe Prokuroria”, deklaronte asokohe Haxhiu.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas Haxhiut, ishin vërejtur në momentin kur mostrat nga frigoriferët e vjetër janë bartur në frigoriferët e rinj.

“Gjatë bartjes së mostrave, një zyrtar ka vërejtur se mungojnë mostrat me disa kode. Zyrtari ka marr kodet dhe ka kontrolluar se cilat mostra janë në pyetje dhe më pastaj është marr vesh se bëhet fjalë për mostrat e Astrit Deharit. Hera e fundit kur mostrat janë bartur është në tetorin e vitit 2021, pra nga Tetori deri sot, nuk dihet saktë kur janë zhdukur mostrat”.

Haxhiu, po në këtë konferencë për media, pati bërë të ditur se ajo personalisht ishte interesuar për kamerat të cilat monitorojnë për 24 orë Institutin e Mjekësisë Ligjore, por sipas informatave të marra nga personeli aty ajo kishte deklaruar se pamjet e marra nga kamerat e sigurisë rruhen në databaza vetëm për 1 muaj.

“Ne pyetëm për kamerat e sigurisë, aty ka kamera, por ju e dini që vetëm 1 muaj sipas informacioneve po ashtu që na u thanë nuk mund të qëndrojnë më shumë se 2 javë apo 1 muaj”, kishte thënë ajo.

Megjithatë, rreth 2 muaj më vonë me këtë konstatim të ministres së Haxhiu lidhur me kamerat e sigurisë nuk është pajtuar bashkëpartiaku i saj, Haki Abazi.

Abazi në një konferencë për media, të enjten, ka thënë se ai është në dijeni të video-incizimeve të cilat, sipas tij, konfirmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e rastit të Deharit.

I njëjti, duke folur për mostrat e gjakut të Deharit që muaj më parë u zhdukën, ka thënë se Prokuroria duhet të intervistojë kryeministrin Albin Kurti, ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu e disa anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes.

“Instituti i Mjekësisë Ligjore monitorohet 24 orë nga kamerat, dihet qartë kush ka hyrë te frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat të cilat kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera dhe janë zhdukur”.

“Nuk besoj se kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Prokuroria duhet ta marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihailin, Nazlie Balajn, Albulena Haxhiun dhe Flutura Goga-Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për tu mbajt mbi supet e qytetarëve dhe këtij vendi që realisht kërkon drejtësi”, ka shtuar ai.

Ndryshe për deklaratat e thëna mbi rastin e Astrit Deharit, Prokuroria Speciale do ta ftojë për intervistim deputetin, Haki Abazi.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili ndër të tjera tha se “vendi për të dëshmuar është këtu dhe do ta thërrasim Haki Abazin të hënën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore