Sport

Kupa e Shqipërisë, skuadrat e Superiores kalojnë pa problem në raundin tjetër


Kanë përfunduar 12 nga 16 ndeshjet e dyta të raundit të parë në Kupën e Shqipërisë. Nuk ka pasur surpriza, pasi të gjitha skuadrat e mëdha që janë pjesë e Abissnet Superiore kanë kaluar në raundin tjetër.

Pas ndeshjeve të para të luajtura më 22 shtator janë luajtur edhe ndeshjet e dyta gjatë të mërkurës së 13 tetorit.

Skënderbeu ka mundur Veleçikun me rezultatin 4-0, ndërkohë që 3-0 kishte fituar në ndeshjen e parë. Kukësi fitoi 4-0 ndaj Maliqit, më të cilët kishte barazuar pa gola në takimin e mëparshëm.

Teuta nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 me Luzi United, por kaloi më tej pas fitores 4-1 në ndeshjen e parë. Laçi barazoi në ndeshjen e parë me Butrintin në shifrat 1-1, por kaloi më tej pas fitores 4-0 në sfidën e të mërkurës.

Egnatia fitoi minimalisht 1-0 ndaj Turbinës dhe kaloi më tej. Në sfidën e parë kishte barazuar me rezultatin 1-1. Partizani kalon lehtësisht Tërbunin. Në të dy sfidat fitoi me shifrat 3-0.

Vllaznia që mori një humbje suprizuese në ndeshjen e parë përballë Labërsië 2-1, ka arritur të përmbysë gjithçka. Shkodranët fituan ndeshjen e kthimit me rezultatin 4-0. Kastrioti ka arritur të mposht Elbasanin në të dy sfidat dhe me të njëjtin rezultat 2-0.

Korabi ka kaluar më tej, pas fitores 4-1 përballë Vorës. Ndeshja e parë kishte përfunduar me fitoren e Vorës në shifrat 2-1. Tirana ka mposhtur Shkumbinim me rezultatin e thellë 6-0. Ndërkohë në ndeshjen e parë kishte fituar 3-0.

Pogradeci ka triumfuar në shifrat 2-0 përballë Besës së Kavajës. Në ndeshjen e parë kishte fituar Besa me rezultatin 1-0.

Ndeshja mes Apolonisë dhe Flamurtarit pritet të shkojë në kohë shtesë pas barazimit në shifrat 1-1. Edhe në sfidën e parë në Vlorë, ndeshja u mbyll në barazim 1-1.

Ditën e enjte do të luhen katër sfidat e mbetura: Bylis – Oriku, Burreli – Beslidhja, Tomori – Lushnja dhe Dinamo – Erzeni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore