Sport

Kupa e mbretit/ Rayo Vallecano shkruan historinë, Valencia bën detyrën


Rayo Vallecano ka shkruar historinë në Kupën e Mbretit, duke u kualifikuar për herë të parë në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni.

Skuadra nga komuniteti i vogël i Madrid-it, Vallecas, ishte pritëse e Mallorca-s në ndeshjen e parë çerekfinale të këtij sezoni.

Në këtë ndeshje, debutimin zyrtar me skuadrën e Mallorca-s e bëri sulmuesi i kombëtarës së Kosovës, Vedat Muriqi.

Paraqitja e Muriqit ishte tejet pozitive, me sulmuesi nga Prizreni që arriti një rekord.

Ai kishte 22 duele ajrore, duke fituar 15 prej tyre – që është edhe numri më i lartë i dueleve ajrore të fituara gjatë këtij sezoni në të gjitha garat në Spanjë.

Mirëpo, përkundër performancës së Muriqit, Mallorca nuk arriti fitoren.

Kjo ndeshje shumë e luftuar, u zgjidh vetëm nga një 11-metërsh.

Atë e kishte Rayo Vallecano, dhe i saktë u tregua Oscar Trejo, i cili shënoi golin që shkruan historinë për Rayo-n.

Në gjysmëfinalen tjetër, edhe pse me vështirësi, Valencia bëri atë çfarë ishte pritur.

Lakuriqët ishin vendas të Cadiz-it, në një ndeshje tejet të luftuar.

Guedes ishte ai që shënoi për epërsinë e vendasve në minutën e 24-të, pas një asistimi shumë të bukur nga Hugo Duro.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e vendasve.

Por, pa u mbyllur dhjetë minuta në pjesën e dytë, Cadiz barazoi me anë të Lucas Perez që e konvertoi në gol penalltinë e akorduar.

Njeriu asist i golit të parë, Hugo Duro, do ishte vendimtar për fitoren e vendasve.

Dhjetë minuta para fundit, ai ishte i saktë duke gjetur rrjetën dhe duke i siguruar kështu Valencia-s gjysmëfinalet.

Rayo Vallecano dhe Valencia do të presin që të mësojnë kundërshtarët e mundshëm nga fituesit e takimeve: Real Sociead – Real Betis, Athletic Bilbao – Real Madrid.

Shorti për gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit tërhiqet të premtën, me fillim në orën 12:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore