Sport

Kupa e Italisë/ Napoli përballet me Fiorentina-n, Milan-i gjen Genoa-n


Dy sfida do të luhen këtë të enjte në Kupën e Italisë. Napoli do të presë Fiorentina-n dhe Milan-i pret Genoa-n.

Ndeshjet luhen për raundin e 1/8-ve. Raund i cili nisi të mërkurën me përballjen mes Atalanta-s dhe Venezia-s. Berkamaskët kaluan në raundin tjetër, pas asaj fitore në shifrat 2-0.

Sfida e parë e ditës do të luhet në “Diego Armando Maradona”, duke filluar nga ora 18:00. Napoli mes shumë mungesash do të përballet me Fiore-n.

Për Luciano Spalletti-n janë të shumte lojtarët, që janë prekur me koronavirus, por dhe që janë të angazhuar me kombëtaret e tyre në Kupën e Kombeve në Afrikë.

Andre Zambo Anguissa, Kalidou Koulibaly, Victor Osimhen, Lorenzo Insigne, Hirving Lozano, Piotr Zielinski dhe Mario Rui do të mungojnë.

Në krahun tjetër, për Vincenzo Italiano-n do të mungojnë Sofyan Amrabat, Marco Benassi dhe Riccardo Sottil.

Sfida e dytë do të luhet në “San Siro”, duke filluar nga ora 21:00, Milan-i pret Genoa-n. Një ndeshje speciale për teknikun kuqeblu, Andryi Shevchenko-n. Ukrainasi rikthehet në stadiumin ku shpërtheu dhe la gjurmë për vite me radhë, me fanellën e Milan-it.

Për teknikun kuqezi, Stefano Pioli, mungesat janë të shumta dhe me peshë. Tashmë dihet mungesa e Simon Kjaer. Zlatan Ibrahimovic mungon për shkak kartonash. Ndërsa, Ismael Bennacer dhe Franck Kessie janë të angazhuar me kombëtaret e tyre në Afrikë.

Por, nuk janë vetëm këto mungesa për kuqezinjtë. Për shkak dëmtimi pritet të mungojnë edhe Tiemoue Bakayoko, Davide Calabria, Samu Castillejo, Pietro Pellegri, Alessio Romagnoli, Fode Ballo-Toure dhe Ciprian Tatarusanu.

Për teknikun Shevchenko pritet të mungojnë Andreas Cambiaso, Nicolo Rovella, Nikola Maksimovic dhe Laurens Serpe.

Përballjet e tjera të raundit të 1/8-ve:

18 janar

Lazio – Udinese

Juventus – Sampdoria

19 janar

Sassuolo – Cagliari

Inter – Empoli

20 janar

Roma – Lecce

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore