Përballje

Kupa e Gjermanisë/ Hannover shokon Gladbach-un, Leipzig fiton me lehtësi


Po zhvillohet raundi i të 16-ave në kuadër të Kupës së Gjermanisë.

Një raund më parë u eliminua Bayern, kurse mbrëmë u largua nga kompeticioni edhe Borussia Dortmund, që do të thotë se do të kemi një fitues tjetër pas një kohe shumë të gjatë.

Sonte, pikërisht skuadra që e eliminoi Bayern-in, Monchengladbach, u shokua.

Borussia u mposht me rezultat 3-0 nga skuadra e ligës së dytë, Hannover.

Hannover 96 zgjidhi gjithçka me lehtësi, duke mos vuajtur për as edhe një sekond të vetëm gjatë këtij takimi.

Epërsinë ata e arritën në minutën e katërt, me Beier.

Pjesa e parë u mbyll me epërsi të dyfishtë kur Kerk shënoi nga penalltia për 2-0.

Në pjesën e dytë, ashtu si edhe në të parën, Beier shënoi herët për të trefishuar dhe për të mbyllur gjithçka.

Leipzig në anën tjetër, ishte nikoçire e skuadrës modeste Hansa Rostock.

Poulsen në minutën e gjashtë dhe Olmo gjashtë minuta para mbylljes së takimit shënuan për fitoren 2-0.

Sonte zhvillohen edhe dy ndeshje në kuadër të kupës:

Hertha Berlin – Union Berlin

Hoffenheim – Freiburg

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore