Lajme

“Kundërshtim i hapur i qeverisë, Spajiç të reagojë menjëherë”, Ministri shqiptar në Qeverinë malazeze flet për Albanain Post


Foto: Albanian Post

Si “kundërshtim të hapur” ndaj Qeverisë së Malit të Zi, që drejtohet nga lideri i Lëvizjes “Evropa Tani”, Milojko Spajiç, e ka konsideruar Fatmir Gjeka, ministër shqiptar në ekzekutivin malazez, në qoftë se Maja Vukiçeviç, kryesuese e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, voton kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, derisa ka kërkuar reagim të shpejtë nga partitë e tjera të koalicionit qeverisës.

Këto komente, Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Mal të Zi i ka bërë në një prononcim për Albanian Post, pasi e ka komentuar autorizimin që Partia Demokratike Popullore në Mal të Zi (DNP) – e njohur për orientimin e saj pro ruso-serb – i ka bërë deputetes së saj Vukiçeviç, që të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Nëse përfaqësuesja e DNP-së voton siç e ka paralajmëruar ajo parti, ajo do ta kundërshtojë hapur Qeverinë tonë. Prandaj, pres një reagim të shpejtë nga partitë më të mëdha në Koalicionin tonë”, tha Gjeka kur foli për qëndrimin e DPN-së, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.

Në marrëveshjen qeverisëse – pjesë e së cilës janë edhe partitë pro ruso-serbe – që e bëri Spajiç-in kryeministër, u nënshkruan disa parime, ku thuhej se do ta mbështesin integritetin territorial të Ukrainës, si dhe sanksionet kundër Rusisë, forcimin e mëtejshëm të pjesëmarrjes së Malit të Zi në NATO, avancimin e të drejtave të pakicave, mbështetjen e pa diskutueshme të sovranitetit të vendeve fqinje, përfshirë edhe të Kosovës.

Në situatën aktuale, pra kur njëra nga partitë ka marrë vendim për të votuar kundër Kosovës në KiE, Gjeka kujton marrëveshjen e parimeve, për të cilën, në një intervistë për AP në fillim të këtij viti, kishte thënë se nëse shkelet, shqiptarët do të largoheshin nga qeveria.

“Do të shkelet edhe marrëveshja ndërpartiake e nënshkruar para formimit të këtij grupi qeverisës”, rikujton tani Gjeka përsëri kur flet për aktualitetin.

Fatmir Gjeka

Megjithatë, ministri shqiptar në qeverinë malazeze, duke ditur se për çka qëndron DNP-ja, pra çfarë politika përfaqëson, nuk është i habitur nga ky veprim, derisa rithekson qasjen konstruktive të partive kryesore që kanë pushtetin në Mal të Zi në raport me vendet fqinje, përfshirë Kosovën.

“DNP është një parti e vogël, e cila në zgjedhjet e fundit mori pjesë në koalicion me Demokracinë e Re Serbe, lider i së cilës është kreu i Parlamentit të Malit të Zi [Andrija Mandiç]. Ata trashëgojnë politikën serbe dhe ruse, të cilën përpiqen ta fshehin. Mezi ia dalin”, shtoi.

“Në të njëjtën kohë, qeveria jonë udhëheq një politikë të jashtme të qartë, që do të thotë se ne nuk kemi asnjë keqkuptim në marrëdhëniet tona me fqinjët tanë”, nënvizon ministri shqiptar.

Por, në këndvështrimin e redaktores së gazetës më të madhe malazeze “Vijesti”, Biljana Matijaseviç, deputetja Vukiçeviç, nuk do t’i përfaqësojë interesat e shtetit, por të partisë së saj në KiE.

“Vukiçeviç nuk është e vetmja përfaqësuese e Malit të Zi në KiE. Ka katër deputetë të tjerë nga partitë pro-evropiane atje. Duke qenë se ata janë deputetë, Qeveria e Malit të Zi nuk mund të ndikojë në vendimet e tyre. Maja Vukiçeviç do të përfaqësojë interesat e partisë së saj në seancë, jo interesat e shtetit të Malit të Zi”, potencoi ajo për AP.

Pos, kësaj, ajo është e bindur që kjo çështje nuk do të ndikojë as në raportet mes Kosovës dhe Malit të Zi, meqë shton se “të dyja vendet e dinë se sa të rëndësishme janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë për to për rrugën evropiane”.

“Në fund të fundit, kjo është vetëm një votë nga Mali i Zi kundër, edhe pse vjen nga një parti që pritet të hyjë së shpejti në Qeverinë e Malit të Zi”, është shprehur Matijaseviç.

“Kjo do të reflektojë negativisht në parti e cila me një marrëveshje koalicioni me partinë në pushtet Lëvizja për Evropën, është zotuar të respektojë orientimin e politikës së jashtme të Qeverisë”.

Biljana Matijaseviç

Ndryshe, partitë shqiptare që janë pjesë e qeverisë së 44-të malazeze, përkatësisht Forumi Shqiptar dhe Aleanca Shqiptare, kanë tri ministri, përfshirë një pozitë të zëvendëskryeministrit.

Kjo përbënë përfaqësimin më të madh të shqiptarëve në një qeveri malazeze në historinë politike të tyre.

Bartësi i Listës së Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj është zgjedhur zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik; Fatmir Gjeka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj është Ministër i Administratës Publike.

Kosova dhe Mali i Zi kanë qenë vende përbërëse në kuadër të Jugosllavisë, por me statuse të ndryshme.

Mali i Zi ka qenë një nga gjashtë republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të Serbisë, dhe kjo deri në vitin 1989, kur presidenti fashist i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç e suprimoi atë.

Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, më 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht më 9 tetor 2008, e kishte njohur pavarësinë e saj. Kryeministër në atë kohë ishte Gjukanoviç.

Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi që një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj. Ishte vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore