Kosova

“Kundër marrëdhënieve të mira dhe për tërheqjen e njohjes ndaj Kosovës”, thotë Gashi për interprelancën ndaj tij


Afrim Gashi

“Kjo nuk është interprelancë ndaj Afrim Gashit, por është interprelancë ndaj përkatësisë etnike [shqiptare] dhe fetare të Kryetarit të Kuvendit”, ka thënë kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut.

Këto komente, Gashi i ka bërë në seancën plenare të RMV-së, ku është ftuar në inteprelancë nga deputetët e “Levicës” – partia e së majtës ekstreme – në lidhje me incidentin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit – dhe çështje të tjera – ku ai dërgoi sigurimin e tij për të qetësuar situatën.

Në fjalën e tij, Gashi e konsideroi interprelancën ndaj tij si të motivuar politikisht dhe thekoi se është e mbushur me albanofobi.

“Kjo nuk është interprelancë ndaj tejkalimit të autorizimeve të Kryetarit të Kuvendit në aspektin e sigurisë, por është interprelancë ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe angazhim për tërheqjen e njohjes së Kosovës”, tha Gashi.

Kjo nuk është interprelancë, shtoi politikani shqiptar nga RMV-ja, “ndaj gjoja shkeljes së ligjit për gjuhët, por është inteprelancë që shpreh frustrim dhe fobi ndaj gjuhës shqipe dhe përkatësisë etnike të Kryetarit të Kuvendit”.

“Kjo nuk është interprelancë ndaj flamurit të BE-së dhe NATO-s, por është interprelancë ndaj orientimit tonë strategjik”, pohoi.

Ai përsëriti se “Levica” (e Majta), nuk e kupton sekularizmin, sepse në Kuvend u mbajt një minutë heshtje për viktimat e Srebrenicës dhe jo një ceremoni fetare, dhe se ai e dërgoi sigurimin e tij në aeroportin e Shkupit si pararendës për të parandaluar një skandal më të madh dhe që gjuha shqipe të përdoret në Kuvend sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Punës.

Në fund, Gashi ka lëshuar seancën, për të lënë deputetët që të votojnë sipas bindjes së tyre, në raport me shkarkimin e tij, çka ka propozuar “Levica”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore