Shqipëria

Kumbaro në Syrin e Kaltër: Sfida është arritja e një modeli të ri të menaxhimit


Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka qenë e pranishme në Syrin e Kaltër, ku po zbatohet projekti i rikualifikimit infrastrukturor.

Sipas saj, investimi i ri do të ofrojë “një koncept tjetër përdorimi dhe një koncept tjetër mbrojtjeje” për ruajtjen e zonës së mbrojtur.

“Sfida është që në përfundim të kemi një model të ri menaxhimi dhe duhet të jemi shumë të koordinuar që zona të jetë model i ri menaxhimi”, ka thënë ministrja.

Si mungesë të dukshme, ajo ka renditur paketën e plotë të informacionit.

“Njerëzit, gjithçka që dinë dhe thonë për Syrin e Kaltër është vizita, uji, dyndja e njerëzve dhe rruga e keqe. Këto janë katër informacionet që mbeten në mendjen e vizitorit”, ka thënë ministrja.

Dhe se ky është faji i personave përgjegjës, të cilëve u ka munguar informimi i publikut, “gjithë metodologjia e informimit se çfarë nuk duhet bërë”.

Mes të tjerash, ajo ka ravijëzuar nevojën për ta mbajtur zonën të pastër, pa mbetje dhe hedhurina.

Marrë shkas nga kjo, Kumbaro ka zbuluar se pjesë e projektin do të jetë paketa e informacionit, ku ka kërkuar edhe mbështetjen e pushtetit vendor.

E gjitha sepse mbrojtja është “detyrë e përbashkët” që përmirëson cilësinë e shërbimit dhe që sjell përfitime për të gjitha palët.

Për të arritur këtë, ajo ka kërkuar komunikimin dhe bashkëpunim e tyre mbi mënyrën se si duhet të përdoret dhe të mbrohet zona, e cila është në administrim të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Ndërkaq, ka kërkuar nga investitorët që ky projekt i ri të inaugurohet më datë 1 maj, si shenjë për çeljen e sezonit të ri turistik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore